E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banorët e zonave rurale, pa qendra shëndetësore

Banorët e zonave rurale të Qarkut të Fierit ndihen të privuar nga shërbimi shëndetësor. Disa mijëra banorë për një mjekim të thjeshtë plage duhet të nisen drejt qytetit të Fierit apo drejt spitalit më të afërt me fshatin e tyre. Të njëjtën gjë bëjnë dhe banorët e fshatit Çerven të Komunës Levan, por këta të fundit duke qenë pothuajse në të njëjtën distancë dhe me qytetin e Vlorës, shpeshherë i drejtohen spitalit të këtij qyteti. "Ne kemi një godinë urgjence në fshat, por siç e shikoni këtu dera është e mbyllur dhe asnjëherë nuk gjejmë infermiere apo mjek. Mjekët i kam parë vetëm dy herë, megjithëse duhet të vijnë dy herë në javë", na thotë Rizai, banor i këtij fshati. Banorët urojnë që të mos sëmuren, pasi duhet të udhëtojnë kilometra të tëra për të bërë një vizitë rutinë apo një injeksion të thjeshtë. "Jemi apo nuk jemi njerëz ne? Kemi apo nuk kemi shtet, se mesa duket ne jemi të braktisur nga shteti. Nuk jemi ne shtetas të këtij vendi? Pse duhet të bëhet një përzgjedhje e tillë në kurriz tonë?", thotë Ramizja, nëna e një adoleshenti që sapo kishte vrarë këmbën dhe nuk kishte ku ta mjekonte. Pranë Drejtorisë së Shëndetit Parësor në Fier ku emërohen dhe bëhet shpërndarja e të gjithë mjekëve në shkallë rrethi, shprehen se nëpër qendrat shëndetësore të zonave rurale është vendosur që shërbimi i mjekut të ofrohet dy herë në javë, ndërsa i infermierisë përditë. Por as ky shërbim nuk jepet për zonat rurale, duke detyruar që për një injeksion banorët të vijnë deri në Fier, duke përshkuar kështu kilometra të tërë rrugë. Zyrtarisht drejtues të Drejtorisë së Shëndetit Parësor Fier deklarojnë se do të ketë një rishikim të gjithë skemës së shpërndarjes së mjekëve dhe infermierëve për qendrat shëndetësore dhe spitalet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›