E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama në OKB, rezolutë për një botë antibërthamore

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në një takim të kryesuar nga Presidenti amerikan, Obama, ka aprovuar njëzëri një rezolutë që parashikon një botë pa armë bërthamore. Në këtë rezolutë i bëhet thirrje të gjitha vendeve për t‘i dhënë fund armëve bërthamore, edhe pse në të nuk përmendej Koreja e Veriut, vend që Perëndimi e konsideron si rrezikun kryesor bërthamor. Megjithatë Presidenti francez, Sarkozi, dhe Kryeministri britanik, Braun, bënë thirrje për ndërmarrjen e sanksioneve të reja ndaj Iranit, i cili nuk i ka marrë parasysh kërkesat e OKB-së për të ndaluar përpjekjet bërthamore. Obama dhe liderët e tjerë morën pjesë në një sesion që ka zgjatur dy orë rresht dhe ishte hera e parë që një President amerikan drejtoi një sesion të tillë të Këshillit të Sigurimit që nga viti i krijimit të tij që është 1946. Sa i përket takimit të krerëve të shteteve, për Këshillin kjo ishte hera e pestë që bënte bashkë krerët e vendeve përfaqësuese dhe e parë në të cilin një takim i tillë përqendrohej plotësisht dhe ekskluzivisht tek armët bërthamore dhe çarmatimi. "Unë e kam kërkuar një takim të tillë në mënyrë që ne të flasim për një çështje të tillë të rëndësishme në një nivel kaq të lartë përfaqësimi, për një çështje që është themelore për jetën e njerëzve dhe të kombeve vetë", ka thënë Obama. "Ky institucion është themeluar në agim të epokës bërthamore pjesërisht dhe duhet që të kryejë funksionet paqësore për të cilat u krijua". Sipas Obamës, viti i ardhshëm do të jetë shumë kritik në përcaktimin e përpjekjeve për të ndalur përhapjen dhe përdorimin e armëve bërthamore". Rezoluta e formuluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës bën thirrje për "përpjekje të mëtejshme në sferën e çarmatimit bërthamor për të pasur një botë pa armë bërthamore". Kësisoj ajo i kërkon të gjitha vendeve që nuk kanë nënshkruar Traktatin e Armëve Bërthamore të vitit 1970 që ta bëjnë sa më shpejt një gjë të tillë. Kritizerët e rezolutës thanë se ajo dështoi në përfshirjen e kushteve detyruese ndaj vendeve që nuk janë dakord me një masë të tillë. Sipas disave ajo nuk ka bërë asgjë konkrete për të nisur procesin e çarmatimit. Të 5 anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Britania dhe Franca kanë bomba bërthamore. Në rezolutë nuk përmenden emra konkretë të vendeve me armë bërthamore për të shmangur keqkuptime të ndryshme, por Braun dhe Sarkozi kanë bërë thirrje për ndërmarrjen e sanksioneve të ashpra ndaj Iranit dhe kundërshtisë së tij për të bashkëpunuar me autoritetet ndërkombëtare në lidhje me ambicien bërthamore. Sipas diplomatëve dhe analistëve, vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të organizuar këtë takim nënvizon në zhvendosje të madhe në çështjet e çarmatimit të ndërmarrë nga administrata e Obamës gjithmonë krahasuar me politikën e Presidentit Bush. Ish- presidenti ka zemëruar vazhdimisht vendet anëtare të marrëveshjes kundër armëve bërthamore për injorimin e plotë që i ka bërë zotimeve për çarmatosje. Rezoluta kërkon që "shtetet e tjera" jashtë marrëveshjes, t‘u bashkohen përpjekjeve për t‘u çarmatosur në mënyrë që bota të shndërrohet në një vend pa armë bërthamore. Shtete që nuk përmenden në këtë rezolutë janë India dhe Pakistani të cilat nuk e kanë shkruar marrëveshjen e sipërpërmendur, por dihet që janë fuqi bërthamore dhe Izraeli që as e ka pohuar, as e ka mohuar faktin që ka armë bërthamore, edhe pse besohet se ky vend ka një arsenal të jashtëzakonshëm armësh. Sa për Korenë e Veriut, një tjetër vend problematik që ka armë bërthamore, ky vend u tërhoq nga marrëveshja në vitin 2003 dhe bëri provën e saj të parë bërthamore në vitin 2006 dhe një tjetër në fillim të këtij viti. Rezoluta i bëri thirrje vendeve anëtare të OKB-së që të ratifikonin marrëveshjen që ndalon ndërmarrjen e provave bërthamore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›