Bilishti shuan etjen pas tri ditësh
Bashkia e Bilishtit ka arritur të gjejë një marrëveshje me OSSH-në dhe për pasojë uji i pijshëm është rikthyer në çezmat e qytetarëve. Banorët kishin tre ditë që vuanin thatësirën, për shkak se stacioni i pompave që furnizonte qytetin me ujë të pijshëm rezulton debitor ndaj filialit të OSSH-së. Sipas të dhënave nga kjo e fundit, debia e prapambetur arrin shifrën e 3.6 milionë lekëve. Për rrjedhojë OSSH-ja kishte urdhëruar ndërprerjen e energjisë elektrike, gjë që u pasua me ndërprerjen e furnizimit me ujë të pijshëm.