E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arritja e performancës, mjekët shpërblim deri në një pagë

Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor (ISKSH), znj. Elvana Hana paraqiti të dhënat e realizimeve, sipas të cilave do të bëhet dhe shpërndarja e pagesës shtesë për stafin e qendrave shëndetësore. Mbështetur në realizimin e treguesve për 6 mujorin e parë të vitit 2012, rezulton se 414 qendrat shëndetësore të kujdesit shëndetësor parësor të përfitojnë  deri në një pagë tjetër, kundrejt realizimit të treguesve të performancës dhe cilësisë.

Numri i planifikuar i vizitave nga mjeket e përgjithshëm e të familjes në shkallë Republike për 6 mujorin, është realizuar rreth 91.6 %, ndërsa treguesi i cilësisë apo bonusi është realizuar rreth 58 %. Pagesa për performancë do të bëhet në bazë të realizimeve përkatëse. Kështu, punonjësit e Qendrave Shëndetësore të rajoneve të Tiranës, Vlorës, Dibrës, Korçës, Elbasanit, Beratit, Shkodrës, Gjirokastrës, do të kenë përfitime më të larta pasi kanë realizuar më mirë treguesit e cilësisë e performancës.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, si rezultat i rritjes së numrit të vizitave, ka një rritje sidomos indikatori qe lidhet me ndjekjen e femijeve me rreth 4%, te sëmurëve me hipertension me rreth 9% si dhe indikatori i edukimit ne vazhdim. Qendrat shëndetësore kanë arritur të tërheqin rreth 22 milion lekë më shumë si rezultat i rritjes se numrit te vizitave, ndërsa si rezultat i plotësimit të indikatorëve të bonusit, kanë tërhequr 70 milion lekë më shumë. Për 6/mujorin e parë të këtij viti, parashikohet të shpërndahen rreth  320 milion lekë. Nga ky fond përfitojnë rreth 9350 punonjës të Qendrave Shëndetësore, nga të cilët rreth 2000 janë mjekë familje dhe specialistë, 6600 infermierë dhe 750 punonjës të tjerë (sanitare, shofere, ekonomiste).

Fondet për përballimin e pagesave shtesë janë transferuar tashmë në llogarite bankare te Qendrave Shëndetësore, te cilat duhet të veprojnë menjëherë për shpërndarjen e tyre. Vlen të theksohet se, falë punës së ISKSH-së në menaxhimin e fondeve dhe punës së vetë Qendrave Shëndetësore në drejtim të performancës dhe cilësisë, për të pestin vit radhazi, mjekët dhe infermieret e shërbimit parësor përfitojnë pagesë shtesë në bazë të cilësisë së shërbimit që u ofrohet pacientëve. /Start/

                                                                                             2012-07-31 13:29
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›