Arroganca vetëvrasëse e PS
Edmond Arizaj
Përfytyrim: Sali Berisha i ulur në karrigen kryeministrore, me nënqeshjen karakteristike, syrin e djathtë pak të mbyllur, dorën e djathtë që luan ethshëm me stilolapsin, me një pamje mëse të kënaqur i pohon vetes; edhe këtë radhë shkova në fund e po dal në krye. Me të majtën, të ndarë në copa luaj si të dua.
Dhe Berisha nuk e gënjen veten kot. As ata që i rrinë pranë dhe nuk ia bëjnë fjalën dy.
Aktualisht e majta është e ndarë në dy copa të mëdha. Përafërsisht të barabarta. Nga njëra anë Partia Socialiste, nga ana tjetër ish-aleatët e saj me në krye LSI. Për Berishën janë dy precedentë: I pari, kur këto copa i "eliminoi" një nga një, dhe sot gëzon karrigen e kryeministrit dhe precedenti i dytë, vetëm një vit më parë, kur dy copat e bashkuara u bënë një kafshatë që i mbeti në fyt. Përfundimi; humbja e zgjedhjeve lokale. Dhe për çudi, pikërisht kur Berisha ndjeu frikën dhe nisi të tkurrej para të majtës së bashkuar, Partia Socialiste bën një nga lëvizjet më të habitshme; kërkon eliminimin e partive aleate, me anë të ndryshimit të Kushtetutës. (Dhe të mendosh që ish-partitë aleate të PS-së kanë një fuqi disa herë më të madhe se simotrat e PD-së). Ideja duket e qartë; PS-ja shpresonte në pezmatimin e anëtarësisë së këtyre partive, duke propaganduar pragun e lartë elektoral dhe shkrirjen vullnetare të saj me votuesit socialistë. "Harresa" e kalkuluesve të PS-së në këtë rast ishte se në zgjedhje nuk shkon vetëm PS-ja me LSI-në, por edhe PD-ja dhe parti të tjera që i janë bashkuar LSI-së në koalicionin e majtë. Dhe të treja këto forca do t'u duhet të ndajnë mes tyre 140 vende në Parlament. Dhe natyrisht, vendin e Berishës në kryeministri e zë ajo parti, apo koalicion që merr 71 deputetë.
Me një të majtë të bashkuar, që do të vazhdonte t'i qëndronte marrëveshjeve, që nuk do të falte Berishën, që nuk do të bëhej palë në shformimin e demokracisë, që nuk do të përzihej me ndryshimin e çuditshëm të Kushtetutës, por që do të merrej pikërisht vetëm me të bërit opozitë dhe oponencë, e djathta do ta kishte shumë të vështirë të ëndërronte qëndrimin në pushtet. Por me një arrogancë që të lë me gojë hapur, Partia Socialiste, këmbëngul edhe në vendosjen e të tjera limiteve, që vazhdojnë të synojnë eliminimin e ish-aleatëve. Kur nga njëra anë, i kërkon bashkëpunim LSI-së dhe partive të tjera, pavarësisht prishjes së marrëveshjes me ta dhe bërjes së një marrëveshjeje me Berishën, nga ana tjetër përpiqet të ndryshojë në dëm të LSI-së edhe Kodin Zgjedhor. Në këtë moment, koalicioni i majtë, me LSI-në në krye, duket se ka dy kundërshtarë; natyralin dhe brenda llojit. Sigurisht që këtë të fundit nuk është se e kanë kërkuar ata, por po u imponohet pikërisht me arrogancën e kalkulatorëve socialistë. Këta të fundit, të lodhur ndoshta nga vitet e gjata të kalkulimeve, harrojnë se këto parti, nuk janë në politikë për të marrë erë nga politika, por pikërisht për të bërë politikë. Nëse PS-ja me arrogancë, do të vijojë "punën" me PD-në për të goditur dhe dëmtuar koalicionin e LSI-së, duke mos bërë në Kodin e ri Zgjedhor, korrektim nacional, apo duke zgjedhur metodën HONDT për përllogaritje e jo atë HARE, ajo mund t'i shkaktojë vetes dëm të konsiderueshëm, duke dalë e treta në disa qarqe, madje me numër të konsiderueshëm mandatesh.
Pavarësisht trysnisë së ushtruar nga PS-ja, duke shfrytëzuar edhe votat e Berishës, koalicioni i LSI-së duket që nuk do epet. Përkundrazi, elektorati i çoroditur i së majtës, me një kundërshti te akumuluar ndaj qeverisë e sidomos ndaj Berishës, do të shohë si përfaqësuesen e vërtetë të saj, pikërisht koalicionin e LSI dhe aleatëve të tjerë, duke i shkaktuar në këtë mënyrë, një rrjedhje alarmuese votave të PS-së së vetmuar. Kjo do të duket sidomos në disa qarqe kryesore të vendit, ato që dhe kanë më shumë deputetë ku shihet se Meta është duke përqendruar edhe energjitë më të mëdha, duke synuar të renditet i pari apo i dyti. Ndërsa vendimi i Metës për të kandiduar në Tiranë dhe jo në zonën e tij historike, është një sfidë e hapur që ai i bën Berishës dhe Ramës.
Janë pikërisht këto vota, ku Edi Rama shpreson të bëhet kryeministër. Një pretendim tërësisht legjitim i tij, po ashtu si është legjitime edhe e drejta e Ilir Metës për të qenë kryeministër, edhe e Sali Berishës, edhe e kujtdo tjetër, që i ka hyrë karrierës politike. Por që të arrish deri aty, nuk duhet vetëm dëshira, pasioni, arroganca, e prapaskenat. Duhen edhe 71 vota. Nga sa u tha më lartë, Rama i vetëm, duket se në situatën aktuale e ka të humbur mundësinë për të qenë kryeministër i Shqipërisë, sepse do t'i duhet të fitojë shumicën e vendeve në Kuvend, përballë partisë në pushtet dhe një koalicioni të kristalizuar që natyrisht do të luftojë fort jo për të mbijetuar, por për të dalë forcë dominuese. Kjo mundësi e humbur e Ramës, e trajtëzuar dhe e mishëruar nga një ndjesi fatale superioriteti e tij, apo këshilltarëve të afërt, i heq nga duart edhe kontrollin mbi Partinë Socialiste. Dhe arroganca e PS-së, kthehet në arrogancë vetëvrasëse, pikërisht për Ramën në radhë të parë. Nëse në bastin që ai ka hedhur me veten, apo me këdo, se i vetëm mund të fitojë 71 deputetë, Rama luan gjithçka; dorëzon postin e kryebashkiakut të Tiranës për të kandiduar si deputet. Mund të fitojë si deputet, por nuk arrin të bëjë qeverinë. Humb kontrollin e Partisë Socialiste, pasi nuk do të jetë më i parë mes të barabartëve, por vetëm një nga të barabartët-deputetë. Tek e fundit, politika ka të bëjë edhe me interesat. Dhe një Edi Ramë, vetëm deputet nuk i intereson askujt, as në kryesinë e heshtur të PS-së. Ndërkohë, nëse Rama vendos të mos kandidojë as si deputet, duke mbajtur Bashkinë e Tiranës, atëherë basti është i humbur ende pa u hedhur. Dhe në këtë rast, humbja do të ishte shumëplanëshe, madje edhe me rrezikun real të skajimit të Ramës në politikë.
Por edhe Ilir Meta nga ana e tij, megjithë rritjen e vazhdueshme, duket se nuk i ka shumë të mëdha shanset për kryeministër, të paktën për 2009. Por e majta, mund të gjejë rrugës, edhe një figurë konsensuale për këtë post, figurë e cila t'i bashkojë drejtuesit e majtë. Rexhep Meidani do të ishte mëse i pranueshëm, si nga Rama, ashtu edhe nga Meta. Por në PS, LSI-ja apo edhe në partitë e tjera të majta, mund të gjenden figura punëtore, që mund ta bëjnë të majtën një, me qëllim që nënqeshja e Berishës në zyrën e tij, të jetë e hidhur.