E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha ngushëllime për Thanas Nanon

Kryeministri Sali Berisha ka ngushëlluar dje ish-kreun e qeverisë Fatos Nano për ndarjen nga jeta të babait të tij, Thanasit. 

Burime pranë Kryeministrisë bëjnë të ditur për gazetën "Panorama" se kreu i qeverisë është nisur rreth orës 19:30 minuta për në shtëpinë e Nanos, ku ka shprehur ngushëllime. Axhenda e ngjeshur e takimeve duket se ka qenë shkaku që Kryeministri Berisha të shtynte për dje në mbrëmje vizitën ngushëlluese në shtëpinë e Nanos. Kjo pasi, të premten kreu i qeverisë ka qenë në Berat ku ka vijuar turin "Shqipëria në NATO" dhe gjatë të shtunës në Divjakë. Thanas Nano u nda nga jeta mesditën e së enjtes të kaluar në moshën 92-vjeçare. Sipas fqinjëve të tij, ku rrinte me shtëpi në një prej kullave përballë parlamentit, Thanasi kishte rreth tri muaj me gjendje të rënduar shëndetësore. Ai prej gati pesë vitesh jetonte i vetëm në këtë banesë, ndërkohë që njëra nga vajzat i ka ndenjur më pranë. Thanasi ishte i vitlindjes 1916 dhe jetoi 92 vjet, në dy sisteme, një jetë krejtësisht të vrullshme. Ish-partizan, menjëherë pas çlirimit të Shqipërisë më 1944 ai ishte një nga themeluesit e Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH) dhe më tej për një periudhë gati 20-vjeçare drejtues i radios dhe më tej edhe i televizionit të vetëm shqiptar. Për një kohë ka qenë gjithashtu edhe shef i Zyrës së Informacionit në Kryeministri, në kohën e Mehmet Shehut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›