Arsenal – Man Utd, ndeshje e madhe

Derisa ndeshjet mes Topçinjve dhe Djajve të Kuq kanë qenë jashtëzakonisht të rëndësishme në fund të viteve të 90-ta dhe në fillim të 2000-ve, kur skuadrat ishin konkurrent mes vete për titull, depërtimi i rivalëve të rinj si Chelsea dhe Manchester City duket sikur kishte zbehur shkëlqimin e kësaj përballjeje.
Por, Wenger ka mohuar sugjerimet, duke thënë se takimet e skuadrës së tij me Manchester Unitedin vazhdojnë të jenë të rëndësisë së veçantë.
“Është ende e tillë. Por, nuk është e vetmja sepse kemi edhe Chelsean dhe Manchester Cityn që kanë hyrë, kurse Liverpool është ende aty. Por, është një ndeshje që përcillet në mbarë botën”, tha Wenger për magazinën Aresenal Player.
Pavarësisht humbjes turpëruese 8-2 në ndeshjen e mëhershme të këtij sezoni në Old Trafford, Wenger është optimist se skuadra e tij mund të fitojë pikë maksimale përballë djelmoshave të Sir Alex Fergusonit të dielën.
“Varet se si do të luajmë në atë ditë, si do të kombinojmë mes vijave, por në përgjithësi mendoj se mund të fitojmë”, përfundoi ai.