E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arsenal me armë në një lokal, pranga poseduesit



KRUJE - Policia e Krujës zbuloi dje një arsenal me armë në fshatin Tapizë. Sipas burimeve, armët janë gjetur në një nga magazinat e një lokali, në pronësi të shtetasit Agron Topalli, i cili u prangos. “Policia kishte rënë në gjurmët e Topallit disa kohë më parë, ndërsa e kishim vënë atë në vëzhgim, duke përdorur edhe metoda speciale për zbulimin e armatimit”, bëri të ditur policia e Krujës. Mësohet se blutë për të zbuluar arsenalin e armëve infiltroi edhe agjentë të saj. Kështu, dje ata bënë të mundur rrethimin e lokalit e më pas kryen në të një kontroll të imtësishëm, për të cilën kishin edhe mandatin e duhur nga Prokuroria e Krujës. Kontrolli është kryer edhe në prezencë të pronarit të lokalit, Agron Topallit, ku pas sekuestrimit të armatimit dhe mbajtjes së proces-verbalit është kryer edhe arrestimi i tij. Sipas policisë në lokal janë gjetur tre automatikë, 4 kallëpe tritol, 50 detonatorë ndezës, një arkë me granata difensive, një silenciator dhe qindra fishekë. Policia sekuestroi gjithashtu dhe një sasi thikash dhe bajonetash, të cilat i posedonte pronari i lokalit. Duke parë edhe sasinë e madhe të armatimit, në ndihmë erdhi edhe Policia e Durrësit. Dyshohet se armët Topalli i mbante për tregti, ndërkohë pritet që hetimet e mëtejshme të zbardhin edhe motivin e posedimit të kësaj sasie armatimi nga poseduesi i saj. r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›