E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura, si do korrigjohet Letërsia



Korrigjim i dyfishtë për testet e provimeve të Maturës Shtetërore. Kur vetëm një ditë i ndan nga prova e lëndës së letërsisë, që mbi 33 mijë nxënës do t’i nënshtrohen më 1 qershor, Ministria e Arsimit jep garanci për vlerësim transparent. Për herë të parë këtë vit procesit të vlerësimit të provimeve të maturës i janë shtuar elementë të rinj. Sipas MASH, janë mësuesit më të mirë që janë trajnuar për t’u bërë pjesë e këtij procesi. Në rast se konstatohen gabime, testet do të vlerësohen sërish. Nga një grup vlerësuesish është shtuar dhe një i ri, i cili është i një niveli më të lartë. “Më datë 1 zhvillohet provimi i parë i detyruar, letërsia e gjuha shqipe. Testet shkojnë në të gjitha mjediset mësimore të përcaktuara ku do zhvillohen provimet. Procesi i vlerësimit do të bëhet me vlerësues të dyfishtë. Kjo do të thotë se deri tani ka një grup vlerësuesish dhe në raste kur ka mospërputhje mes grupeve të vlerësuesve, ofrohen vlerësues të nivelit tjetër, më të lartë”, ka sqaruar edhe njëherë zv.ministri i Arsimit, Halit Shamata. Këtë vit nuk do të aplikohet rikorrigjimi i tezave, por do të ketë korrigjim të dyfishtë. çka konsiston në kontrollin e testit nga 4 mësues të ndryshëm. Vitet e mëparshme numri i tyre ka qenë dy. “Pra, do të kemi korrigjimin nga dy mësues, që është korrigjimi i parë dhe në rastin kur diferenca mes dy vlerësuesve është e ndjeshme, atëherë bëhet një vlerësim i dytë dhe në fund çdo test është i certifikuar nga tre korrigjues dhe nga një përgjegjës”, kanë sqaruar krerët e Ministrisë së Arsimit. Sipas tyre, vlerësimi do të jetë më objektiv dhe me standardet që aplikohen edhe në vende të tjera. Gjithashtu këtë vit për herë të parë aplikohet një formë të re e administrimit të maturës. “Nxënësit e shkollave në zonat rurale provimet me zgjedhje do t’i japin vetëm në qytete. Do të realizohet grupimi i tyre në këto shkolla të mëdha, për të evituar qoftë abuzimet, qoftë subjektivizmit dhe favoret të vërejtura gjatë maturave të mëparshme”, kanë sqaruar krerët e Ministrisë së Arsimit. Administratorët e provimeve u janë nënshtruar tashmë trajnimeve. Procesi i Maturës Shtetërore tashmë ka startuar, pasi hartuesit e tezave të provimit të parë janë të ngujuar pranë Agjencisë së Vlerësimit dhe Arritjeve të Nxënësve. Gjatë gjithë muajit qershor maturantet do t’u nështrohen provimeve, atyre të detyruara dhe atyre me zgjedhje. Më 15 qershor ata të japin matematikën, ndërsa më 30 qershor do t’i nënshtrohen testit të dy lëndëve me zgjedhje. Në muajin korrik maturantët do të kenë në duar të gjitha rezultatet e maturës për të plotësuar më pas formularin A2, për degët që duan të studiojnë në universitete. Ndryshime do të ketë edhe në mënyrën e pranimit në shkollat e larta, korrigjimin e testeve, përgatitjen përpara provimeve dhe afateve kur do të mbyllet procesi. Por gjithashtu, në një tjetër mënyrë do të bëhet edhe grupimi i nxënësve të rretheve gjatë zhvillimit të provimeve me zgjedhje. Skema e re u prezantua dje gjatë konferencës “Matura Shtetërore drejt standardeve evropiane”. Ajo çka prek të gjithë kandidatët për në universitet është heqja e formularit A3 dhe A4 për kuotat e parealizuara. Këtë vit për herë të parë i gjithë procesi do të mbyllet brenda fazës së parë. Pra, pas plotësimit të formularit A2, me anë të së cilit maturantët caktojnë 10 degët e shkollës së lartë, do të shpallet lista përfundimtare e fituesve. Nuk do të ketë më vende bosh. Kjo, edhe në rastet kur për fakultete të caktuara pas mbylljes së procesit të regjistrimit nuk plotësohet numri i tyre.

Penalizimet

Maturantëve nuk do t’u njihen rezultatet:
Në rast se ditën e provimit nuk janë të pajisur me dokumente identifikimi, nuk qëndrojnë në vendin që u caktohet, apo përpiqen të japin provimin për një nxënës tjetër.
- Kur kandidatët bëjnë përpjekje të fitojnë në mënyrë të padrejtë informacion mbi përmbajtjen e testit, marrin ose japin kopje apo komunikojnë me nxënës të tjerë.
- Ndalohen komentet lidhur me përmbajtjen ose zgjidhjen e testit.
- Nëse përdor mjete shkrimi të ndryshme nga ato të specifikuara për këtë qëllim (të cilat janë: stilolaps me ngjyrë të zezë ose blu).
- Rezultatet nuk njihen, nëse kandidati mban me vete telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimeve.
- Gjithashtu ndalohet komunikimi me kandidatët e tjerë, celularët apo shënimet në fletën e provimit.
- Në rast se për një arsye apo një tjetër maturantët duan të dalin nga klasa, automatikisht përjashtohen nga provimi.

Teza, 25 pyetje me tri nivele vështirësie për nxënësit

Provimi i detyrueshëm për letërsinë dhe gjuhën shqipe do të përmbajë 25 pyetje, të cilat do të jenë të kombinuara ndërmjet atyre që kërkojnë përgjigje të argumentuara dhe ato me alternativa. Pjesa më e madhe e pyetjeve do t’i përkasin lëndës së letërsisë. Në programet shkollore të drejtimit të përgjithshëm për provimin e letërsisë, gjuha shqipe, përfshirë edhe të shkruarit, zë 26 për qind të pyetjeve që do përmbajë testi, ndërsa letërsia 74 për qind. Do të jenë shtatë teza të ndryshme, sipas profilit të shkollave, me tri nivele vështirësie. Të gjithë maturantët, të cilët hyjnë në kategorinë e nxënësve të dobët, pra që përgjithësisht marrin notën 5 ose 6, do të kenë hapësirën e tyre në çdonjërin prej testeve të provimeve të maturës. Kështu, në masën 40 për qind, hartuesit e testeve do të përgatisin pyetje pikërisht për këtë nivel. Niveli i dytë i pyetjeve, ku hyjnë nxënësit mesatarë, do të zërë në çdonjërin prej testeve plot 40 për qind të totalit të pyetjeve. Në këtë grup pyetjesh do të ketë testim të dijeve të maturantëve jo thjesht për njohuritë bazë, por për njohuri më të thella, për të cilat mund të përgjigjen ata maturantë që përpiqen të mësojnë, ose kanë qenë sistematikë. Niveli i parë, ose i nxënësve të mirë dhe shumë të mirë do të ketë 20 për qind hapësirë në test. Në këtë grup pyetjesh, maturantët do të testohen jo vetëm për njohuritë që kanë marrë gjatë shkollës së mesme, por edhe për kreativitetin e tyre individual.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›