E Diel, 1 Nëntor 2026

Pengu në gjykatë: Daja më rrëmbeu me pistoletë te koka



KURBIN/ ROLAND NIKOLLI

Gjykata e Kurbinit lë në burg babë e bir të cilët morën peng nipin e tyre pas konfliktit për 2 dynymë tokë. Mark dhe Valmir Gjini, do të qëndrojnë në burg deri në përfundim të hetimeve, e më pas gjykata e këtij rrethi do të gjykojë për dënimin e tyre. Po dje, Gjykata e Kurbinit vendosi masën me 12 ditë burg, për personin që u mor peng, Ndoc Ndou. Prokuroria e Laçit akuzoi babë e bir, Mark dhe Valmir Gjinin, 55 dhe 27 vjeç, për veprat penale “pengmarrje në bashkëpunim”, “heqje e lirisë së personit” dhe “armëmbajtje pa leje”. Ndërsa Ndoc Ndou u akuzua “për armëmbajtje pa leje”, pasi policia e Kurbinit, gjatë kontrollit në banesën e tij sekuestroi një automatik me 30 fishekë. Masa e arrestit është marrë në masa të rrepta sigurie për të evituar ndonjë hakmarrje mes familjeve. Mark dhe Valmir Gjini morën peng të mërkurën e kaluar nipin e tyre, pas një konflikti për dy dynymë tokë ku të dy palët pretendojnë se e kanë në pronësi. Pas marrjes peng të Ndoc Ndout policisë i është dashur rreth katër orë për të negociuar me pengmarrësit për lirimin e tij. Dje në gjykatë, Mark dhe Valter Gjini nuk e pranuan akuzën. “Ne e kemi marrë Ndoc Ndoun në makinë për t’u sqaruar. Nuk e kemi marrë peng dhe as nuk e kemi kërcënuar. Sherri ndërmjet nesh ka ndodhur për pronësi”, u shprehën ata në gjykatë. Për këtë konflikt është një çështje e hapur në të njëjtën gjykatë, por ende nuk ka një vendim në lidhje me pretendimin e palëve. Pengu Ndoc Ndou rrëfeu para trupit gjykues “aventurën” e hidhur me dajën e tij. “Isha në punë kur erdhi Marku me djalin e tij. Dola t’i takoja, por sapo u afrova Marku nxori pistoletën. Më kërcënoi se do të më vriste nëse nuk ngjitesha në makinë. Unë i thashë se çështja jonë ndodhet në gjykatë dhe duhet të presim, por më pas u detyrova me dhunë të futem në makinë. Valmiri kishte një thikë në dorë, dhe nëse unë nuk ngjitesha në mjetin e tyre ata mund të më vrisnin”, u shpreh në gjykatë Ndoc ndou, Sipas tij, nëse policia nuk do të kishte ndërhyrë në kohë, atëherë ai sot nuk do të ishte gjallë. “Pasi më morën peng, gruaja ime Lindita më mori në telefon. Nuk më lanë të komunikoja gjatë pasi ata ma hoqën telefonin nga duart, por gjithsesi unë arrita t’i thosha asaj se Marku dhe Valmiri më kishin marrë peng. Kjo telefonatë më shpëtoi jetën pasi ata edhe mund të më kishin vrarë”, u shpreh më tej Ndoc Ndou, i cili përjetoi për katër orë tmerrin e pengut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›