E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, plagosi 13-vjeçarin që i grabiti banesën, lirohet autori



TIRANE – Policia e Tiranës la të lirë dje personin që u vetëdorëzua në Komisariatin nr.4 të Tiranës, dy ditë më parë, pasi kishte plagosur një të mitur, i cili i kishte vjedhur banesën. Sipas burimeve nga Drejtoria e Policisë së kryeqytetit, mësohet se 50-vjeçari, Bilal çuni është lënë i lirë, menjëherë sapo ka dhënë deklarimet e tij në lidhje me ngjarjen. Gjatë dëshmisë së dhënë para oficerëve të policisë, rezultoi se Bilal çuni, autori i plagosjes së superhajdutit Markelian Cungu, e ka kryer veprimin në përleshje e sipër me të miturin, i cili kishte një biçak në dorë. Sipas 50-vjeçarit, arma e ftohtë me të cilën është plagosur lehtë në pjesën e qafës 13-vjeçari Markelian Cungu, nuk ishte e pronarit të shtëpisë, por e hajdutit të njohur për policinë e kryeqytetit. Burime nga Komisariati nr.4 thanë se në momentin e ngjarjes, bashkë me Markelian Cungun ishin edhe dy bashkëpunëtorët e tij, tashmë të identifikuar dhe të shpallur në kërkim, dy 14-vjeçarët, A.N. dhe E.S.. Dy të miturit, janë të identifikuar si bashkëpunëtorë të Cungut edhe në disa vjedhje të tjera që kanë kryer në Tiranë. Pronari i banesës së vjedhur, i cili plagosi Markelian Cungun dy ditë më parë, ka deklaruar se në momentin që i është afruar banesës, dy djem të tjerë janë larguar me vrap nëpër rrugica. “Nuk kisha asnjë qëllim që ta dëmtoja edhe pse më ka vjedhur shtëpinë dhe disa herë e kam kapur duke tentuar sërish të më vjedhë. Ngjarja ishte aksidentale”, mësohet se ka deklaruar në polici, autori i vetëdorëzuar Bilal çuni. Më pas ai ka sqaruar se ishte vënë në dijeni nga bashkëshortja, se Markeliani i shkonte vazhdimisht në shtëpi, në Allias të Tiranës dhe fyente e kërcënonte bashkëshorten e çunit. Në këto kushte ai e ka gjetur edhe dy ditë më parë pranë shtëpisë së tij, duke i ofenduar bashkëshorten. Kjo ka qenë arsyeja, sipas çunit, që ai është përleshur me hajdutin minoren dhe në këtë moment ai ka mbetur i plagosur. Ngjarja ndodhi pasditen e së shtunës, në rrugën “Njazi Meka”, në lagjen Allias të kryeqytetit, kur Markeliani është kapur nga çuni dhe është plagosur me biçak në fyt. Ai menjëherë u dërgua me urgjencë për në Spitalin Ushtarak në kryeqytet, për t’i dhënë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe mësohet se aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën, pasi plaga ka qenë e lehtë. e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›