Kontributi për fëmijët autikë,çmim për profesorin italian
Kontribut të jashtëzakonshëm në ndihmë të fëmijëve autike shqiptarë. Për t’i shprehur mirënjohjen dhe respektin, Ministra e Shëndetësisë i akordoi dje çmimin e Mirënjohjes, profesorit italian, Giovanni Bocchiotti. Në ceremoninë e dhënies së çmimit veç ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, mori pjesë pjesë edhe drejtuesja e fondacionit “Fëmijët shqiptarë” zonja Liri Berisha. “Ju jeni shembulli më i denjë i shoqërisë civile, që meritoni mirënjohjen më të thellë dhe vlerësimin e veçantë të Qeverisë dhe shoqërisë shqiptare. Kam privilegjin t’iu çmoj për kontributin e jashtëzakonshëm në ndihmë të fëmijëve shqiptarë në nevojë dhe si ministër i Shëndetësisë vlerësoj tek personaliteti juaj profilin e lartë të një humanisti dhe profesionisti të palodhur që fëmijët shqiptarë të buzëqeshin”, iu drejtua ministri Vasili, prof Bocchiottit gjatë ceremonisë së dhënies së çmimit. Nga ana e tij profesori italian shprehu falënderimet e tij për këtë çmim: “Jam i nderuar për këtë akt, nuk di nëse e meritoj me të vërtetë, jam munduar të ndihmoj dhe e di që mund të bëhet akoma më tepër, por gjithçka që kam bërë për fëmijët e këtij vendi, e kam bërë me zemër. Në këtë bashkëpunimin që e kemi titulluar ‘Buzëqeshje për Tiranën’, kam gjetur një bashkëpunim të admirueshëm me zonjën Liri Berisha, e cila gjithnjë ka theksuar që fëmijët janë e ardhmja e këtij vendi”, tha profesori italian. Ai shtoi se në Shqipëri ka gjetur shumë miq që i kanë përcjellë simpatinë për këtë vend. “çdo herë që ju vizitoj shoh ndryshime. Ju jeni një vend që po lëvizni me ritme të shpejta. Ne sot në mbrëmje do të kthehemi drejt Italisë duke marrë me vete një fëmijë që ka nevojë për trajtim mjekësor, në mes të qershorit është planifikuar një tjetër operacion pediatrik për një kardiopati të lindur”, tha Giovanni Bocchiotti. Zonja Berisha theksoi se Prof Bocchiotti është një nga personat më mbështetës të fondacionit “Fëmijët shqiptarë” dhe projekti i tij “Buzëqeshja për Tiranën” është kthyer buzëqeshje për Shqipërinë. “Një numër i konsiderueshëm rastesh të fëmijëve shqiptarë që kanë nevojë për ndërhyrje të specializuar operatore kanë gjetur zgjidhje në Torino. Një mbështetje tjetër mjaft e madhe është dhe ndihmesa për hapjen e qendrës së fëmijëve autikë ‘Fluturo për Jetën’. Ky çmim i takon prof Bocchiottit, familjes së tij, por edhe klinikës ku fëmijët shqiptarë marrin shërbimin”, tha Liri Berisha.