Ish-kreu i Hipotekës, zyrtarisht i pandehur
Trazhgim Sokolaj
Ish-drejtori i Përgjithshëm i Hipotekës Gazmend Zeneli është marrë zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria për skandalin e shitjes nën vlerë të truallit shtetëror prej 6 mijë metrash katrorë në Tiranë. Lajmi është konfirmuar dje nga burime të Prokurorisë së Përgjithshme të cilat thanë se ish-kreut të Hipotekës, i është njoftuar akuza tri javë më parë në lidhje me abuzimin që dyshohet të jetë kryer prej tij në vitin 2005, kohë kur drejtonte Zyrën Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Tiranë. Pas hetimit disa mujor mbi skandalin, tri javë më parë, Njësia Task Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës, ka thirrur Gazmend Zenelin të cilit i ka njoftuar akuzën “shpërdorim detyre” në cilësinë e drejtorit të Hipotekës në vitin 2005. Hetimi për këtë çështje ka nisur pas zbulimit të procedurës abuzive të shitjes së një trualli, i cili në vitin 2005 ka qenë në pronësi të shtetit. Në këtë procedurë shitje, me kërkesë të Ministrisë që ka realizuar privatizimin, është implikuar edhe ish-drejtori i Përgjithshëm i Hipotekës. Në mënyrë zyrtare, atij i ishte kërkuar të hartonte një studim për çmimin me të cilin do të shitej trualli prej 6 mijë metra katrorë në zonën e ish-qytetit të Nxënësve në kryeqytet. I vënë në lëvizje nga kërkesa e Ministrisë, ish-kreu i Zyrës Qendrore të Hipotekës, ka ngritur një grup pune dhe disa ditë më vonë, ka hartuar një dokument në të cilin i kthente përgjigje Ministrisë me një tabelë çmimesh për truallin që do të shitej.
Dëmi në arkën e shtetit
Duke marrë të mirëqenë listën e çmimeve të dhënë nga drejtori i Hipotekës, ministria ka kryer shitjen e pronës prej 6 mijë metra katrorë tokë në vitin 2005. Më pas kontrolli i kësaj procedure ka hedhur dyshime sipas të cilave çmimi dhënë për metër katror në zonën ku ndodhej trualli, ka qenë të paktën 30 për qind nën vlerën reale të tregut. Dosja është marrë në shqyrtim dhe menjëherë pas verifikimit të dokumentacionit të saj, është arritur në përfundimin se çmimi nën vlerë i shitjes së truallit ishte përcaktuar me firmën e ish-kryeregjistruesit të Hipotekës. Krahas këtij verifikimi, Prokuroria ka kryer veprime të tjera hetimore të cilat kanë arritur në përfundimin se procedura e ndjekur në caktimin e çmimit të tokës ashtu sikurse shifrat e dhëna për vlerën e saj kanë qenë abuzive dhe të paligjshme. Ndërkohë sipas verifikimeve në kohën kur është kryer shitja e pronës shtetërore, entet publike nuk kanë pasur asnjë referencë tjetër për caktimin e çmimit, për metër katror të truallit që është privatizuar. Sipas hetimeve, procedura është mbyllur me arkëtimin e një shume financiare disa herë më të vogël sesa vlera reale e truallit duke shkaktuar kështu një dëm financiar të konsiderueshëm në arkën e shtetit shqiptar.
“Për të njëjtën pronë dha dy vërtetime të ndryshme”
TIRANE – Ish-drejtori i Përgjithshëm i Hipotekës Gazmend Zeneli është akuzuar edhe për abuzime të tjera gjatë drejtimit të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive. Në vitin 2007, Avokati i Popullit njoftoi Prokurorinë e Tiranës për një rast flagrant, në të cilin me firmën e Gazmend Zenelit ishin dhënë dy vendime të ndryshme për një pronë të vetme. Sipas inspektimit të bërë nga Avokati i popullit dhe konkluzioneve të rekomandimit të datës 17 tetor 2007, abuzimi lidhet me një pronë në rrugën “Bajram Curri” për të cilën një herë Hipoteka kishte dhënë vendim se ishte 89.75 metër katrorë dhe një herë tjetër, Hipoteka ishte shprehur se prona në fjalë, pra e njëjta, ishte me sipërfaqe 70 metër katrorë. “Vërtetimi nga dokumenti hipotekor që mban datën 17.09.2003, i cili vërteton se, në regjistrin hipotekor Nr. 155 datë 25.04.1978 prona figuron e regjistruar në pronësi të shtetasit K.G, pasuria me numër 5/4 e ndodhur në Zyrën Kadastrale 8370 me sipërfaqe trualli 70 metër katrore. Vërtetimi është lëshuar nga regjistruesi Gazmend Zeneli i Zyrës së Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme të rrethit Tiranë, datë 02.10.2003. Po kështu një vërtetim nga dokumenti hipotekor, i cili me të njëjtat tregues të të dhënave të pasqyruara në regjistrin hipotekor vërteton se, shtetasi K.G ka në pronësi një dhomë, kuzhine, banjë në një shtëpi në Rrugën “Bajram Curri” Nr. 340 me sipërfaqe prej 89.75 metër katrore , nënshkruar nga regjistruesi Gazmend Zeneli më datën 27.09.2004. Pas këtij konstatimi Avokati i popullit ka kërkuar ndjekje penale për Gazmend Zenelin me akuzën e falsifikimit.