Arsenali, më mirë pa Van Persien

Tifozët e gjigantit londinez janë shqetësuar pas largimit të dy prej yjeve më të mëdhenj të ekipit. Por, Wenger insiston se është i kënaqur me grupin që ka në dispozicion. “Ajo që na ndodhi para një viti ishte situatë më ndryshe nga kjo në të cilën gjendemi tani. Kësaj radhe jemi shumë më të përgatitur”, deklaroi Wenger për mediet angleze.
“Ne ishim të përgatitur për largimin e Van Persiet dhe me kohë angazhuam dy sulmues të rinj; Lukas Podolski dhe Olivier Giroud. Kurse atyre ia shtuam edhe Santi Cazorlan. Besoj se tani kemi ekip më të fuqishëm se para një viti dhe për këtë arsye kam lejuar edhe largimin e Songut. Kam shumë opsione në mesfushë dhe jemi të mbuluar mirë”, shtoi strategu francez.
Refuzimi i Wengerit të investojë para të tjera në vazhdim të afatit kalimtar nuk do të parandalojë ardhjen e mesfushorit Nuri Sahin nga Real Madridi. Ylli turk besohet se do t’i bashkohet Arsenalit në formë huazimi, edhe pse interesim për shërbimet e tij ka shprehur edhe Liverpooli.