E Shtunë, 31 Tetor 2026

Naftëtari, rikthehen Daci dhe Taullahu, kërkohet Çullhaj

Nga ARBEN ÇEPANI

Pas miqësores së humbur 1-4 kundër Tomorit, kuçovarët duket se janë hedhur në sulm për të kryer përforcimet e duhura gjatë kësaj periudhe. Megjithatë, për Naftëtarin vjen një lajm i mirë nga merkatoja, pasi në stërvitje është rikthyer mbrojtësi Florian Daci. Futbollisti në fjalë ishte prezent në kontingjentin e skuadrës gjatë sezonit të kaluar, ku dha edhe kontributin e tij për ngjitjen e skuadrës pas tre vitesh në Kategorinë e Parë. Por Daci nuk është i rikthyeri i vetëm, pasi edhe lushnjari Taullahu është vënë nën urdhrat e trajnerit Vasili dhe mesa duket ai do të jetë pjesë e skuadrës për kampionatin e ri. Me këto afrime, duket se repartet e mbrojtjes dhe të mesfushës janë të kompletuara, pasi aty luajnë edhe disa lojtarë të tjerë, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre të çmuar gjatë kohës që janë aktivizuar me Naftëtarin. Problem mbetet disi vija e parë e sulmit, ku aktualisht gjenden dy lojtarë, Lila dhe Zylyftari, por duke ditur vështirësitë e kampionatit e domosdoshme është edhe prezenca e një tjetër futbollisti në këtë repart. Ndërkohë, mësohet se drejtuesit kuçovarë janë duke kërkuar të marrin shërbimet e ish-mbrojtësit të Partizanit Rigels Çullhaj, i cili nga ana e tij ka shprehur dëshirën për të qenë pjesë e Naftëtarit për sezonin e ardhshëm. Lojtari në fjalë ka qenë pjesë e akademisë së të kuqve nga kryeqyteti.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›