Gjergji Petro konfirmohet si donatori kryesor i Përmetit
Nga ROLAND SULI
Duket se me në fund është shkrirë akulli, i cili mbante të ngrirë financimin e skuadrës përmetare. Kështu, është gjetur akordi midis bashkisë së qytetit dhe donatorit kryesor z.Gjergji Petro, njëkohësisht edhe president i firmës së prodhimit të luleve natyrale Kaleshi. Ai ka mbi 10 vite që sponsorizon skuadrën e Përmetit, ndërkohë që mësohet se pas një takimi në kryeqytet midis z. Petro dhe kryebashkiakut Gilbert Jaçe është rënë dakord për vazhdimin e bashkëpunimit midis dy palëve. Donatori aktual do të vazhdojë të financojë ekipin dhe do të jetë sponsori kryesor, ndërkohë që bashkia nga ana e saj u ka paguar futbollistëve një pjesë të shumës nga rrogat e prapambetura. Mësohet se z. Petro do të bëjë të mundur afrimin e disa lojtarëve nga Dinamo, ku disa mund të huazohen për të luajtur me Përmetin. Kjo mund të realizohet së shpejti duke ditur edhe marrëdhëniet e mira të donatorit kryesor të ekipit me klubin dhe trajnerin e bluve Eduard Zhupa.