E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elitizmi dhe kriza shqiptare e elitës politike

Zhvillimi i demokracisë liberale duket se ka arritur në një pikë ku përballjet me realitetin janë shumë larg asaj të pritshmes. Madje po shtohen zërat që kërkojnë një rishikim të teorive mbi të cilat është ngritur kjo demokraci. Jo vetëm kriza e sotme ekonomike, jo vetëm pasojat e paparashikuara të globalizmit, por dhe thelbi i vërtetë i kësaj demokracie, kanë ngritur para studiuesve mjaft pyetje. Pse ka kaq shumë pakënaqësi ndaj politikës? A mund të quhet demokraci një sistem i votuar nga më pak se 40% e votuesve, të cilët u janë drejtuar kutive të votimit, kur 60% e kanë braktisur këtë të drejtë? A mund të themi se është individi ai që i është larguar politikës dhe jo politika individit? A po i humbet gjithnjë e më shumë interesi popullit ndaj politikës, apo elitat politike kanë krijuar imazhin e keq ndaj saj? Në stadin e sotëm të zhvillimit të demokracive liberale vihet re një indiferencë në rritje e popullit ndaj politikës. Dukja është e prekshme në momentin e votimeve. Zhgënjimi është i dukshëm që në pjesëmarrjen në votime. Pse ndodh kjo?

Mund të vazhdonim me pyetje të pafundme, që sigurisht shqetësojnë çdo mendje, por në thelb vijnë ngjarje, në dukje me pamje të ndryshme. Demokracia në Greqi ka nxjerrë në rrugë popullin e pakënaqur ndaj politikës, dhe nga ana tjetër populli amerikan që voton gati në mënyrë plebishitare ndaj Obamës. Në të dyja rastet mendja të shkon tek elitat politike që demokracia liberale duket se i instalon objektivisht. Ky instalim është pasojë e demokracisë së përfaqësuar. Kur them "instalim", kam parasysh gjithçka lidhet me këtë term, pra mekanizmin e domosdoshëm nëpërmjet të cilit lëviz demokracia, mungesën e rrugëve të lira, që kjo elitë të zëvendësohet dhe sikundër ndodh në çdo lloj "instalimi", mundësitë e mëdha që krijon për degradimin dhe korrupsionin e kësaj elite.

Charls Wright Mills ka shkruar: Elitizmi tregon pa asnjë ekuivok sinjalin e degjenerimit të demokracisë.

Qarkullimi i demokracisë si qarkullim i klaneve të elitës politike, ka sjellë mundësinë e të konsideruarit elitë jo në konceptin e "më të mirëve", natyrisht as në konceptin e më të merituarve. Thjesht konsiderohen elitë, pasi kanë në dorë pushtetin politik, të cilin e konsiderojnë pushtet demokratik të fituar me votë!

Problemi i elitës politike është problem bashkëkohor, dhe në këtë kontekst ai është dhe problem shqiptar. Por në Shqipëri ka disa veçori edhe më thelbësore, që nuk kanë të bëjë thjesht me mekanizmin demokratik të instalimit të elitës politike, por dhe me vetë përmbajtjen e kësaj elite.

Në bilancin që shpesh bëjmë për 18 vite demokraci, natyrisht që i jemi rikthyer me mijëra herë elitës politike shqiptare, i jemi kthyer faktit që kjo elitë u përpunua dhe lindi nga një shoqëri totalitare, e cila konceptin e elitës e kishte në kultin e vet. Kjo do të thotë se elita politike shqiptare u favorizua masivisht nga një ndërgjegje popullore e edukuar në një sistem, ku elita konsiderohet e pagabueshme, e padiskutueshme dhe e pazëvendësueshme. Problemi nuk është se si doli në krye kjo elitë politike, as prejardhja e saj e dyshimtë demokratike, por mekanizmi që përdori për të instaluar veten dhe për ta ricikluar atë në periudha kohore. Ky mekanizëm nuk qëndron në institucionin e zgjedhjes si proces politik demokratik. Jo! Mekanizmi zgjedhor i ka dhënë mundësi ligjore zëvendësimit në elitën politike dhe njëkohësisht i ka mbyllur të gjitha mundësitë e pjesëmarrjes së popullit në politikë. Problemi qëndron që kjo elitë ka mentalitetin e bajraktarizmit në politikë. Ky mentalitet duket në shpërfilljen që i bëhet ligjit dhe shtetit ligjor. Politikanët shqiptarë nuk pyesin për ligje. Këtë e dinë dhe fëmijët. Politikanët shqiptarë kërkojnë "besnikërinë" në bashkëpunuesit dhe bashkëvepruesit e tyre, por besnikërinë të kuptuar individualisht, besnik ndaj "bajraktarit", jo ndaj demokracisë, aq më pak ndaj ligjit. Mentaliteti i tyre prej bajraktari i ka dhënë krah sjelljes arrogante të tyre, idesë se "njëshi" të bën gjëmën dhe mos i dil përpara, që të të fusë në rreth. Kjo sjellje e elitës politike sjell tkurrjen dhe frikën në popull dhe natyrisht largimin prej saj. Ajo sjell padyshim dhe nevojën që ata që rrinë afër me "njëshin" duhet ta kenë mirë me të, të mos ta kundërshtojnë, t‘i thonë vetëm fjalë të mira e të zbatojnë urdhrat, ndonjëherë të bëjnë dhe spiunin për të tjerët rreth e rrotull. Politikanët shqiptarë të elitës politike, madje nuk vijnë as nga shkolla politike, as nga përvoja politike, as me një kulturë themelore demokratike. Kjo e bën elitën tonë politike të hyjë në krizë me veten, të tregohet pa dinjitet dhe e nënshtruar jo vetëm ndaj institucioneve të huaja, por ndaj çdo njeriu "të huaj" që vjen në Shqipëri! Elita politike shqiptare është në krizë. Ajo nuk di të përcaktojë prioritetet e veta. Por dhe kur di, ka frikë nga të huajt!

Shqipëria është një vend me dy nga resurset që do t‘ia kishte zili bota: natyrën dhe popullin me moshë mesatare 27-vjeçare! Sikur këto përparësi të kishte marrë parasysh elita politike, do të kishte ndërtuar një Shqipëri vërtet ndryshe. Por elita politike shqiptare ka probleme identiteti me veten. Ajo nuk artikulon dot as termin "Shqipëri natyrore", e jo më të luftojë për të! Kur cilado elitë tjetër politike do ta kishte vënë në përparësitë e saj.

Momentalisht elita politike në vend është në krizë dhe për këtë mjafton të shikosh çoroditjen e saj të gjithanshme që nga Presidenti e Kryeministri e deri tek opozita. Problemi që flitet në tryeza miqsh është i thjeshtë: nuk dua të votoj për askënd, se të gjithë janë njëlloj!

Por si i bëhet që të ndryshojmë?


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›