E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arsenali, tre gola Liverpulit për vendin e tretë

Gola të rrallë nga mesfushori i ri francez, Matjë Flamini dhe mbrojtësi i përfaqësueses së Bregut të Fildishtë, Kolo Ture, e futën Arsenalin në udhë të mbarë drejt një fitoreje bindëse dje, 3-0 kundër Liverpulit, dhe e ngjitën atë në vendin e tretë të renditjes së Premier Ligës. Goli i dytë i Flaminit në kampionat, që nga koha kur erdhi te Arsenali, dy vjet më parë, u shënua pak përpara përfundimit të pjesës së parë, kur francezi përcolli topin në rrjetë, duke finalizuar një kombinim të bukur të skuadrës së tij, në ndeshjen e luajtur në Stadiumin "Emirates". Ture e dyfishoi epërsinë e vendasve, duke shënuar në minutën e 56-të, pasi përfitoi nga një kundërsulm i "topcinjve" londinezë dhe kolegu i tij në qendër të mbrojtjes, francezi Uilliam Gallas, plotësoi listën e pazakontë të shënuesve në këtë takim, kur doli i zbuluar dhe goditi me kokë, duke vulosur fitoren e thellë të Arsenalit, 10 minuta para përfundimit të kohës së rregullt.
Kjo ishte një fitore e cmuar për Arsenalin, i cili e ka filluar me luhatje sezonin dhe, fundjavën e shkuar, ishte mundur 0-1 përballë Uest Hemit, ndërsa një javë më parë pati barazuar 1-1 me Evertonin. Gjithsesi, pavarësisht nga kjo, skuadra e trajnerit Arsen Venger është plot 10 pikë pas kryesueses aktuale të Premier Ligës, Mancester Junajtid, që ka 31 pikë, dhe shtatë pikë prapa vendit të dytë dhe kampiones në fuqi, Celsi, ndonëse ka luajtur një ndeshje më pak. Celsi mundi Uotfordin 4-0 të dielën, me një trigonësh të Didier Drogbasë dhe një gol të Andrij Shevcenkos, ndërsa Mancester Junajtid fitoi minimalisht, 1-0, në fushën e Blekbërn Rovers. Ndërkaq, humbja e djeshme e lë Liverpulin në mesin e tabelës së renditjes, duke nxjerrë në pah gjithashtu edhe formën e dobët të kësaj skuadre në fushë të huaj, pasi ka marrë vetëm një pikë nga 6 ndeshjet e fundit jashtë. Gjithashtu, skuadra e trajnerit Rafael Benitez ka shënuar vetëm një gol në fushë të huaj, atë që erdhi nga 11-metërshi i saktë i Robi Faulerit në fushën e Shefilld Junajtid, në javën e parë të kampionatit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›