E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatkeqësia e Sulejman Memës, kambanë për shurdhët e Federatës

I tëri opionin publik është tronditur këtë fundjavë nga një ngjarje që, ndonëse ndodhi në një veprimtari sportive, ose më saktë, në një ndeshje futbolli, ka rezonuar fuqishëm edhe në jetën e të gjithë shqiptarëve. Një përfaqësueses i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Sulejman Mema, i cili kryen detyrën e shefit të gjykimit në këtë organizëm, është goditur barbarisht të premten në Burrel nga një anëtar i stafit drejtues të ekipit matjan dhe ndodhet ende në sallën e reanimacionit të Spitalit Ushtarak. Një akt krejtësisht barbar, kur mban parasysh se bëhet fjalë vetëm për një ndeshje futbolli. E për më tepër, kur bëhet fjalë për një figurë të shquar të këtij sporti në Shqipëri, i cili është bërë fatkeqësisht "kurban" i fajeve të dikujt tjetër.
Ajo që të dhemb më tepër, është fakti se organizmi për të cilin ish-futbollisti dhe trajneri i shquar kryeqytetas punon, deri më sot, (të hënën), nuk ka dalë në publik, me një deklaratë për shtyp, ku të dënohet ky akt barbar dhe i paprecedent. Natyrshëm që fundjava mund të jetë e cmuar për drejtuesit e futbollit shqiptar, por ajo që i ndodhi kolegut të tyre, nuk mund të kalohet në heshtje, me atë shpresën e madhe se "cudia më e madhe, tre ditë zgjat". Fatkeqësisht, jemi në ditën e katërt sot dhe Sulejman Mema është ende në reanimacion, në një gjendje të rëndë shëndetësore. Ndërkohë që dje, përpos të tjerëve, Memëm e ka vizituar edhe kryetari i Partisë Socialiste dhe kryebashkiaku i kryeqytetit, Edi Rama, i cili e ka dënuar këtë akt të dhunshëm, selia e futbollit shqiptar në Rrugën e Elbasanit, hesht.
Protesta e gjyqtarëve në fundjavë, duke i filluar me 15 minuta vonesë ndeshjet e të shtunës, është padyshim për t'u përshëndetur. Por ajo nuk mjafton. Nuk mjafton sepse akti i dhunshëm i së premtes erdhi si pasojë e "allishverisheve" dhe flirtve të panumërta, që drejtuesit e futbollit shqiptar kanë bërë me presidentët e klubeve, që këta të fundit kanë bërë me gjyqtarët, që presidentët bëjnë me lojtarët në kurriz të trajnerëve, e kështu me radhë. Metastazat e këtyre pazareve të pista, e kanë ndotur aq keq dhe kanë zhytyr në një batak të ndyrë futbollin shqiptar, gjë që nuk ka sesi të mos cojë në ngjarje të tilla tronditëse. Sulejman Mema është vecse rasti i radhës, pasi, jo më larg se dje, dy futbollistë të Bylisit të Ballshit janë dhunuar fizikisht në Polican, pas ndeshjes midis këtyre dy skuadrave të Kategorisë së Dytë.
Kambanat po bien gjithnjë e më fort në futbollin shqiptar, por "bunkeri" i Rrugës së Elbasanit hesht, pavarsisht se kampionati shqiptar i futboll është veprimtari e organizuar pikësht nga ky institucion. Federata hesht, pasi është e paaftë edhe për të nënshkruar kontrata me policinë për sigurinë në stadiume, duke qenë marrëdhënëniet me shtetin i ka aspak të mira, dhe, si Ponc Pilati, i ka larë duart, duke ua lënë "kopilin në derë" klubeve. Ajo që ka ndodhur të premten në Burrel është pikërisht pasojë e kësaj paaftësie të kësaj Federate të paaftësh, që me futbollin i lidhin vetëm interesa të errëta. I nderuari Sulejman Mema është në spital akoma, por rastet si ai sa po vijnë e shtohen. A do t'i dëgjojë ndonjëherë ndokush këto kambana...?

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›