Josa “ Po vuajmë psikologjikisht”

Mirel Josa, trajner i Tiranës, u përpoq të mbronte lojtarët e tij pas barazimit befasues me Shkumbinin (2-2). Tirana në dy ndeshjet e fundit ka marrë vetëm një pikë: Për median, Josa u shpreh : "Kjo ndeshje duhej fituar medoemos, por nuk ia arritëm. Pas humbjes në Vlorë ekipi pati rënie psikologjike që u reflektua edhe sot. Ishte pikërisht ky faktor që ndikoi në rezultatin e ndeshjes së sotme, e cila, e theksoj, duhej fituar, kjo edhe nga ajo që pamë në fushë. Mendoj që duhej të kishim shënuar golin e tretë para se kundërshtari të na barazonte, pasi vetëm atëherë mund të merrnim qetësinë e duhur. Na mungoi qetësia, ashtu sikurse reflektimi pas golit ishte i coroditur. Nuk mund të shaj ekipin, pasi bëri një lojë të mirë dhe në epërsi të plotë. Më vjen keq vetëm për faktin se nuk arritëm të fitonim këtë takim, nga i cili humbëm dy pikë. Nuk kam koment tjetër."