E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arshavin kthehet tek Zeniti

Zenit Shën Petersburg ka afruar në formë huazimi deri në fund tyë sezonit, sulmuesin Andrei Arshavin nga Arsenali. Lëvizja u konfirmua nga kampionët e Rusisë, që nëpërmjet një deklarate zyrtare në faqen e klubit theksonin se “u arrit akordi që Arshavin të luajë në Shën Petergurb deri në qershor 2012”.
Më parë, kapiteni I përfaqësueses ruse e kishte zyrtarizuar lajmin në faqen e tij zyrtare në internet. “Jam transferuar te Zeniti në formë huazimi. Detajet do t’ua them në orët në vazhdim”, shkruante 30-vjeçari.
Në realizimin e kësaj manovre në merkato, klubi i Zenitit shfrytëzoi faktin që periudha e transferimeve në Rusi mbyllet të premten. Arsenali i pagoi Zenitit 15 milionë stërlina në janar të vitit 2009, për të blerë Arshavin.
Por, pasi shkëlqeu në dy vitet e para në Londër, gjatë këtij sezoni Arshavin nuk ka arritur të fitojë një vend në formacionin titular të “topçinjve”. Ndeshja e tij e fundit me anglezët ishte ajo e së martës që kaloi, kur ai shënoi 2 gola në fitoren 5-0 të skuadrës së rezervave të Arsenalit përballë Noruiç Sitit.
Arshavin shpreson që me këtë kthim në qytetin e lindjes do të rikthehet në formën më të mirë, përpara startit të fazës finale të Euro 2012. Në vitin 2008, fillimisht ai ndihmoi Rusinë të kualifikohej deri në gjysmëfinalet e Kampionatit Europian, ndërsa më pas udhëhoqi Zenitin drejt triumfit në Kupën UEFA.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›