E Diel, 1 Nëntor 2026

Milan-Juve vlen 270 milione euro

Milan-Juventus është supersfida klasike e Serisë A, por edhe një duel milionash. Në fakt, nëse llogariten vlera e 22 protagonistëve të ndeshjes së sotme dhe pagat e tyre, në total ata vlejnë 270 milionë euro.
Yjet që do të zbresin sot në fushën e “San Siros”, nga Tiago Mota, Pato e Robinjo te Milani, për të vazhduar me Bufon, Kielini apo Pirlo te Juventusi, sa për të përmendur disa, premton spektakël.
Por, një tjetër statistikë është ajo që kuqezinjtë kanë shpenzuar më pak se rivalët e tyre për të ndërtuar skuadrën. Adriano Galiani ka përdorur strategjinë e blerjeve “loë cost” te “Djalli”, duke afruar kampionë në fundin e kontratës, apo të zhgënjyer në klubet ku luanin.
Një krahasim interesant është fakti që Abiati, Abate, Mekses, Antonini, Noçerino, Van Bomel dhe Emanuelson në total i kanë kushtuar Milanit më pak seç kanë shpenzuar bardhezinjtë për blerjen e kartonit të Simone Pepes.
Duke u bazuar te këto shifra, është i paevitueshëm përfundimi se Juventusi është më i kushtueshëm se Milani. Një fakt që ndoshta mund të duket edhe i habitshëm, pasi në fund të sezonit të kaluar Milani fitoi titullin e 18-të në Itali, ndërsa bardhezinjtë e mbyllën kampionatin vetëm në vendin e shtatë.
Megjithatë, politika e Milanit për afrime të emrave të mëdhenj pa shumë shpenzime, kompensohet nga rrogat e larta. Në krahasimin për shpenzimet që klubet kanë për pagat vjetore, formacioni kuqezi është më i kushtueshëm se ai I rivalëve të Juventusit. Kjo vlen edhe nëse nuk merret parasysh rroga prej 9 milionë eurosh e Zlatan Ibrahimoviç, që nuk do të luajë për shkak pezullimi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›