E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arsimi 9-vjeçar, ndryshon Edukata qytetare

Teksti do të plotësohet me koncepte të reja mbi qytetarinë dhe mësimi do të jepet vetëm nga mësues të lëndës

Programi mësimor i lëndës së Edukatës qytetare, që nxënësit e mësojnë gjatë arsimit 9-vjeçar, do të ndryshojë. Duke qenë se qytetarët shqiptarë janë indiferentë ndaj nismave sociale që zbatohen në komunitet, Instituti për Zhvillimin Arsimor i ka rekomanduar Ministrisë së Arsimit që reagimi qytetar të mësohet që në shkolla, me qëllim krijimin e qytetarisë aktive. Për këtë arsye, në vitin 2012 do të ndryshojë programi i lëndës së Edukatës qytetare, një projekt ky që do të mbështetet nga prezenca e OSBE-së në Tiranë. I pranishëm në tryezën për të diskutuar rreth kësaj çështjeje, ambasadori i OSBE-së, Eugen Wolfarth tha se shkollat janë një vend kyç, ku të rinjtë kalojnë shumicën e kohës dhe ku ata krijojnë një sistem vlerash e parimesh. “Demokracitë mbahen nga qytetarët që kanë njohuritë dhe aftësitë e duhura. Sa më shumë qytetarë të kenë dijet dhe aftësitë, aq më e qëndrueshme mund të jetë demokracia. Ky projekt duhet parë si një kontribut në përpjekjet për të krijuar një shoqëri civile që ka vitalitet dhe që përkrah partive politike, medias dhe faktorëve të tjerë, do të forcojë më tej kuadrin demokratik dhe institucional të këtij vendi”, - deklaroi ambasadori Wolfarth. Konsulentë në këtë projekt thonë se lënda e Edukatës duhet të ndryshohet në përmbajtje për ta thjeshtësuar, të ketë shpjegime për konceptet, mësimet të ilustrohen me foto dhe mësimi të jepet vetëm nga mësues të lëndës. Sipas sugjerimeve të ekspertëve, është menduar që tekstet aktuale të Edukatës qytetare të plotësohen me koncepte të reja mbi qytetarinë, siç është dimensioni historik i qytetarisë, dimensioni europian, i cili ka të bëjë me krijimin e marrëdhënieve dinamike mes së tashmes dhe së ardhmes. Po kështu, në tekst duhet të përfshihet dimensioni global mbi qytetarinë përkundrejt koncepteve që lidhen me diversitetin dhe pluralitetin kulturor, si dhe dimensioni ekonomik që ka të bëjë me formimin e individëve aktivë dhe të suksesshëm në tregun e punës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›