Rritja e çmimeve, Bashkia inspekton tregjet në Tiranë
Kontrollet do të shtrihen jo vetëm në tregjet e hapura, por edhe në supermarkete dhe dyqanet me pakicë. Panariti: Bashkia e Tiranës është e vendosur për të ndaluar të gjitha abuzimet dhe spekulimet me mallrat ushqimore
Nisin inspektimet në tregjet e hapura të kryeqytetit për rritjen e çmimeve në mënyrë abuzive me rastin e festave. Menjëherë pas ngritjes së Task-Forcës, Bashkia e Tiranës ka zbritur në terren për të parë nga afër rritjen e çmimit të produkteve, ndërkohë që aksioni do të shtrihet edhe në supermarkete si dhe te tregtarët e mallrave me pakicë. Task-Forca, e kryesuar nga kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha, ka nisur ditën e djeshme aksionet intensive të monitorimit në tregjet me pakicë dhe shumicë të Tiranës, për t’i prerë rrugë abuzimit me çmimet në prag të festave të fundvitit. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, drejtori i Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit, drejtori i përgjithshëm i Tatim-Taksave dhe drejtori i Policisë Bashkiake, monitoruan dje tregjet me shumicë të kryeqytetit. Nënkryetari Edmond Panariti theksoi se Bashkia e Tiranës është e vendosur të ndalojë fenomenin e përvitshëm të abuzimit me çmimet në prag festash, por pa cenuar lirinë e tregut. “Bashkia e Tiranës është e vendosur me çdo mënyrë, për të ndaluar të gjithë abuzimet dhe spekulimet me mallrat ushqimore. Kjo është edhe arsyeja që sot ne ndodhemi këtu, në një nga tregjet e shumicës të Tiranës, për të ushtruar të gjitha kompetencat që neve na njeh ligji, për të ndaluar spekulimet dhe abuzimet në treg. Nuk kemi ndërhyrë dhe nuk kemi ndërmend të ndërhyjmë në mekanizmin e kërkesë-ofertës. Për ne, tregu i lirë është i shenjtë, por ne do të ndalojmë me çdo kusht spekulantët, ata që abuzojnë me çmimet në dëm të konsumatorëve, por njëkohësisht ne ndihmojmë edhe tregtarët, sepse u garantojmë atyre mjedisin e duhur, për një konkurrencë të lirë dhe të ndershme”, - deklaroi Panariti. Katër grupe të përbashkëta të Task-Forcës janë instaluar pranë tregjeve me shumicë të kryeqytetit, atij tek ‘Uzina Dinamo’, tregu ushqimor tek Qyteti i Nxënësve, sheshi “Avni Rustemi” dhe tregu i shumicës tek “21 Dhjetori”. Pas monitorimit të kryer është konstatuar se një pjesë e tregtarëve nuk kanë afishuar çmimet e produkteve të tyre. Për këtë problem, Task-Forca ka kërkuar nga tregtarët që të bëjnë menjëherë transparencën e çmimeve, duke i shpallur ato në vendet ku ata tregtojnë këto produkte, në mënyrë që konsumatori kryeqytetas të jetë në çdo kohë i informuar në mënyrë transparente për çmimet e artikujve. Nga ana tjetër, Bashkia e Tiranës bën të ditur se do ta ndjekë në mënyrë të vazhdueshme çështjen e çmimeve dhe në rastet kur do të konstatohet abuzimi nuk do të mungojnë as masat ndëshkuese sipas ligjit për pushtetin lokal.