Idrizi: Shqiptarët të deklarojnë të vërtetën gjatë censusit
Përpara mbështetësve në sallën kryesore të Muzeut Historik Kombëtar, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, shoqata “Çamëria” dhe Klubi i Patriotëve të Rinj nisën turin “Ji krenar që je shqiptar”, në kuadër të regjistrimit të popullsisë. Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, e vendosi theksin tek amendamentet e PDIU-së si garancia e vetme e këtij procesi dhe u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve të deklarojnë të vërtetën gjatë censusit. “Ne vazhdojmë të përsërisim bindjen tonë, të konsoliduar dhe nga kontaktet institucionale, se hapësira për të deklaruar përkatësi etnike të rreme, është zero, për shkak të amendamenteve të propozuara prej nesh. Institucionet përgjegjëse kanë përcaktuar procedurën për eliminimin e deklarimeve të rreme, dhe askush nuk mund të ketë sukses në këtë ndërmarrje të sponsorizuar nga jashtë. Vendosja e gjobave gjithashtu është e garantuar, ndaj i bëjmë thirrje kujtdo që mendon se mund të manipulojë, i joshur nga jashtë, se gabon”, - tha Idrizi, gjatë fjalës së mbajtur. Ndërsa deputeti i PDIU-së, Dashamir Tahiri, u kërkoi të gjithë shqiptarëve të deklarojnë me krenari origjinën e tyre, si e vetmja mënyrë për të ruajtur dinjitetin kombëtar.