E Diel, 1 Nëntor 2026

Arsimi bazë, mësuesit, mundësi trajnimi në programin “Pestalozzi”



Instituti i Kurrikulës dhe Trajnimit (IKT) si institucion koordinator i programit “Pestalozzi”, fton të gjithë mësuesit e arsimit bazë për të marrë pjesë këtë vit në trajnimet që ofron ky program prestigjioz. “Pestalozzi” është një program trajnimi i Këshillit të Europës me destinacion mësuesit dhe profesionistët e tjerë që operojnë në fushën arsimore. Ky aktivitet është themeluar në vitin 1969, në kuadër të Konventës Kulturore Europiane dhe synon edukimin dhe trajnimin e profesionistëve në shkollat fillore dhe të mesme në të 49 vendet firmëtare të KE-së. Në kuadër të këtij programi do të mbahen rreth 40 seminare 2-3 ditore në vit. Temat e këtyre seminareve evropiane janë të lidhura ngushtë me projektet prioritare të KE-së, e veçanërisht ato në fushën arsimore të tilla si: arsimimi për qytetari demokratike dhe të drejtat e njeriut; për mbrojtje dhe parandalim të krimeve kundër njerëzimit; arsimimi i fëmijëve romë në Europë; barazia gjinore për mirëfunksionim të demokracisë.

Emigrantët në Itali, dokumenti “Cedolino” është baras me një leje qëndrimi

Shtetasit shqiptarë që jetojnë në Itali, nëse zotërojnë dokumentin “Cedolino”, apo dëftesën e lëshuar nga Posta Italiane, ku vërtetohet se janë dorëzuar dokumentet për ripërtëritjen e lejes së qëndrimit, tani jo vetëm mund të rikthehen për pushime në atdheun e tyre, por mund të kalojnë dhe të qëndrojnë deri në tre muaj në të gjithë ato shtete që bëjnë pjesë në “Zonën Shengen”. Ky lajm i mirë për emigrantët shqiptarë konfirmohet nga Drejtoria e Migracionit në Ministrinë e Punës. Sipas kësaj drejtorie, Komisioni Europian ka vendosur që deri më 31 janar 2009 “Cedolino” e lëshuar nga Posta Italiane do të konsiderohet si një dokument i barasvlershëm i një lejeje qëndrimi në të gjithë ato shtete që bëjnë pjesë në “Zonën Shengen”. Kështu, ajo dëftesë mundëson kalimin e kufijve gjatë udhëtimeve Itali-Shqipëri dhe rikthim, por edhe qëndrimin për turizëm deri në tre muaj. Nga të dhënat zyrtare të Ministrisë së Punës rezulton se në Itali jetojnë rreth 474 mijë emigrantë shqiptarë.

13 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›