E Diel, 1 Nëntor 2026

QSUT, barnat dhe vizitat që mungojnë në pavijone



Emanuela Sako
Qendra Spitalore më e madhe në vend ka boshatisur dollapët e rezervave me barna. Janë dhjetëra barna që mungojnë në të gjitha pavijonet e QSUT-së, për të cilat nuk dihet ende se kur do të bëhet zëvendësimi. Në një vëzhgim që është bërë nga gazeta “Albania” në këtë qendër spitalore, situata shfaqet dramatike dhe tepër e vështirë. Duket se nuk do të ketë një mënyrë që farmacia qendrore, që bën furnizimin e përgjithshëm të pavijoneve me barna, të rimbushet ndonjëherë. Ata që e vënë më tepër në dukje këtë situatë janë rrëfimet e mjekëve dhe të pacientëve. Duke vëzhguar dhomat dhe korridoret e Pediatrisë vihen re prindër me fëmijë në krahë, që rendin sa te dhoma e mjekut në farmaci me recetë në dorë. Prindërit shprehen se e vetmja zgjidhje është të vizitojnë fëmijët në klinika private. Ndërsa barnat dhe vizitat që duhet t’i merrnin falas po i blejnë me para në dorë. Burime nga Pediatria pohuan se në këtë pavijon mungojnë të gjitha barnat, pa pasur përjashtime. Sipas mjekëve, mungesat janë edhe për antibiotikët, që janë barnat më minimale që mund të ketë një qendër spitalore. Mjekët theksojnë se nuk kanë penicilina për të kuruar një fëmijë që vjen me të ftohtë apo temperaturë. Ndërsa EKO-ja për fëmijët e sëmurë me zemër apo mushkëri nuk e kanë mundësinë se aparatura nuk është funksionale. Prindërit orvaten korridoreve të Pediatrisë për kryerjen e vizitës për fëmijët, por janë të detyruar të largohen drejt klinikave private. Situata është alarmante edhe pse flitet se së shpejti do të ketë përmirësime, pasi do të bëhet tenderimi i barnave.
Spitalet
Të gjitha spitalet në QSUT janë përfshirë nga një valë mungesash pa fund të medikamenteve dhe pajisjeve. Për këtë arsye, mjaft mjekime nuk merren dhe mjaft vizita nuk kryhen në QSUT. Madje, po të vëresh në sallën e operacioneve, të afërmit detyrohen të blejnë narkozë para se të operojnë familjarët e tyre. Me një recetë të tejmbushur me barna nga mjeku, familjarët drejtohen në farmaci për të bërë blerjen. Madje janë ata që zënë vendin e mjekut, sepse duhet të mendojnë edhe për barnat që duhen për kryerjen e operacionit dhe për pas operacionit. Ndërsa Spitali Onkologjik, që numëron 2800 raste vdekjesh në vit, vuan nga mungesa e barnave të shtrenjta, që janë Citostatikët, përfshirë dhe barnat e lira. Madje po të vëzhgosh pacientët e shtruar gjatë marrjes së mjekimit, ata i dorëzojnë infermieres qesen me barna dhe serume, madje dhe fluturën që duhet të qëndrojë tek damarët për të marrë ilaçin. Po kështu, laboratorët biokimikë-klinikë dhe imunologjikë nuk kryejnë analizat më elementare, siç janë analizat e gjakut, pasi nuk kanë mjetet e domosdoshme për përballimin e rasteve.
Situata
Mjekët tregojnë se është tepër e vështirë që gjendja në QSUT të ndryshojë. Mjekët e Pediatrisë shprehen se mungesat janë tepër të theksuara dhe tenderimi i medikamenteve duhet të kishte përfunduar. Por, situata e vazhdueshme gjatë gjithë këtij viti është vështirë të kapërcehet, pasi nuk do të jetë e mundur që të zëvendësohen të gjitha aparaturat dhe të bëhet tenderimi dhe shpërndarja në kohë e të gjitha medikamenteve. Për përballimin e situatës do të duheshin fonde tepër të mëdha, që t’i jepej fund “ngërçit” të krijuar në QSUT.

Barnat kryesore që mungojnë në disa pavijone të QSUT-së
Pediatri
Antibiotikë
Penicilinë
Cepurinë
Klaforanë
Zinacef
Ocefinë
Totizinë
Vankomicinë
Flagyl
Dentolinë
EKO
Serume

Kirurgji
Narkozë
Fraksiparinë
Diazepanë
Antibiotikë
Penicilinë
Cepurinë
Klaforanë
Zinacef
Ocefinë
Totizinë
Vankomicinë
Flagyl

Spitali Onkologjik
Citostatikë
Serume
Antibiotikë
Flutura (pajisje për serumet)

Laboratori Imunologjik
Proteina C reaktive
Faktori rheumatoid
Ceruloplazmina serike
Alfa 1 antripsiona
Alfa 2 makroglobulina
Transferina
Albumina
Prealbumina
Haptoglobina
PCR High sensitiv
Antitrombina
Apolipoproteina A
Apolipoproteina B
IgE totale serike
Inhibitori C I estereaze
Krioglobulina
Triglobulina
Muskuj te strijuar
Komplex. Immune qarkulluese
Antitrupa anti Helicobacter pyl
Membrana bazale glomerulit
Ishuj te pankreasit
Ovalesurenale teste
Qel. Par.Stom
Cerebellum
Ind.Cardiak
Pemphigus
Pemphigold
Tetanozi
PCP (polisacardike)
Prova e COOMUS direkt/indirekt 1385

13 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›