E Diel, 1 Nëntor 2026

ISKSH-ja kërkon fond shtesë për listën me bashkëpagesë



Emanuela Sako

ISKSH-ja do të kërkojë fond shtesë për hartimin e listës së dytë me bashkëpagesë mes pacientit dhe ISKSH-së. Gjithçka është bërë e ditur nga drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, gjatë mbledhjes së këshillit administrativ, i cili miratoi projekt-buxhetin për vitin 2009. Projekt-buxheti është parashikuar të jetë 12.310 milionë lekë, ose rreth 10% më shumë se viti 2008. Hana kërkoi shtimin e buxhetit, pasi pritet që deri në miratimin përfundimtar të tij të ketë një listë me barna që do t’i shtohen skemës së dytë me bashkëpagesë. Aktualisht ISKSH-ja ka ngritur një grup ekspertësh që do të hartojnë listën me barnat më të domosdoshme për t’u bërë pjesë e skemës me bashkëpagesë, e cila do të jetë gati deri në fund të shtatorit. Sipas specialistëve të shëndetësisë zgjerimi i skemës është e domosdoshëm, pasi të sëmurëve kronikë dhe fëmijëve nuk do t’iu duhet të blejnë barna me kosto reale. Lista e dytë me bashkëpagesë është një ide e re, e cila pritet të aplikohet nga ISKSH-ja. Sipas kësaj metode, pacientët do të kenë mundësi të përfitojnë më tepër barna me gjysmë çmimi nga skema e sigurimeve. Ndërsa pjesa e skemës së sigurimeve përbëhet nga një numër barnash që janë me rimbursim të plotë nga ISKSH-ja. Duke parë se buxheti i vitit 2008 ishte i pamjaftueshëm për blerjen e barnave, një listë e dytë alternative do t’iu vinte në ndihmë të sëmurëve kronikë apo fëmijëve të vegjël, nën moshën 14 vjeç. Sipas specialistëve, lista alternative me bashkëpagesë do të krijonte mundësi për futjen e më shumë barnave të reja dhe cilësore në listë. Aktualisht lista e barnave me rimbursim mbulon 94 për qind të sëmundshmërisë kronike.

Shqipëria renditet ndër vendet me vdekshmëri foshnjore të lartë

Shqipëria renditet ndër vendet që ka vdekshmëri foshnjore tepër të lartë në krahasim me vendet e BE-së. Ne seminarin me titull “Reformë e shëndetit, nëna dhe fëmija”, specialistët e Shëndetësisë diskutuan për arsyet e vdekshmërisë dhe sëmundshmërisë së nënave dhe foshnjave. Sipas statistikave, vdekshmëria në vendin tonë është 18 fëmijë për 1 mijë lindje. Kjo shifër është renditur mbi normat e lejuara nga BE-ja. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, u shpreh se gjatë dhjetë viteve të fundit vdekshmëria ka pësuar ulje, por mbetet ende në shifra të larta. Godo renditi arsyet se përse ndodh ky fenomen në vend, duke cilësuar si të rëndësishme edukatën e nënave dhe kushtet ekonomike-shoqërore të familjeve shqiptare.

Godo takon krerët e rretheve për situatën e spitaleve

Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, zhvilloi një takim me drejtuesit e spitaleve të rretheve të vendit për t’u njohur me problematikën e tyre. Drejtorët raportuan rreth gjendjes së medikamenteve në spitalet përkatëse. Më pas është vendosur për secilin nga spitalet, për nevojat emergjente që ata kanë. Ndërsa u diskutua për mënyrën se si mund të sigurohen këto barna, në bazë të nevojave të tyre. Në këtë takim të rëndësishëm u firmosën kontratat për medikamentet të mbetura stok. Këto medikamente u zbuluan së fundi nga një vëzhgim i detajuar i Ministrisë së Shëndetësisë. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, kërkoi zbatimin sa më shpejt të kësaj procedure. Gjithashtu u instruktuan drejtorët e spitaleve për mënyrën e përshpejtimit dhe arritjen e marrjes së barnave të nevojshme në një kohë sa më të shkurtër.

13 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›