E Diel, 1 Nëntor 2026

Tërmeti 4 ballësh shkund rrethin e Sarandës



SARANDË - Një tërmet i fuqishëm është ndjerë mesditën e djeshme në qytetin e Sarandës dhe në rrethinat përreth. Nga të dhënat paraprake nuk njoftohet për dëme materiale ndërkohë që epiqendra mendohet të ketë qenë në det me forcë 3-4 ballë i shkallës Rihter. Për shkak të lëkundjeve, banorët që kanë qenë në pallate të larta kanë arritur të ndjejnë lëkundjet e konsiderueshme, që kanë zgjatur fare pak dhe pastaj janë shuar. Por, mësohet se lëkundjet e kësaj goditjeje janë ndjerë edhe në të gjitha fshatrat përreth. Nuk flitet ende për pasgoditje, apo për probleme të shkaktuara nga tërmeti.

Prangoset 20-vjeçari, aksidentoi çiftin me makinë

KRUJË - Një 20-vjeçar është ndaluar, pasi duke drejtuar mjetin e tij, ka plagosur një çift që po udhëtonin me motor, duke iu shkaktuar plagë të rënda. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se shtetasi Ermal Presi, lindur dhe banues në Borizan të Krujës ka rënë në prangat e policisë pasi pasditen e dy ditëve më parë, rreth orës 15:00, në qendër të fshatit Borizanë ka aksidentuar me automjetin e tij shtetasin H. V. dhe bashkëshorten e tij, të cilët ishin duke udhëtuar me një ciklimotor. Pas kallëzimit të bërë nga çifti, forcat e policisë kanë hapur procedimin penal dhe dje kanë bërë të mundur arrestimin e të riut Ermal Presi.

Shkon në rezervuar për të marrë shpendin e vrarë, mbytet në ujë gjahtari

DURRËS – Forcat e RENEA-s kanë bërë që mundur që pas rreth 16 orësh të gjejnë gjahtarin e mbytur në një rezervuar mbrëmjen e së enjtes. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut bëjnë të ditur se në bashkëpunim me trupat zhytëse të RENEA-s kanë gjetur ditën e premte, pas disa orë kërkimesh, trupin e pajetë të shtetasit Hasan Hardani, i cili u mbyt në një nga rezervuarët pranë Shijakut. Sipas tyre, 17-vjeçari Hardari, lindur dhe banues në Laprakë (Tiranë) u mbyt të enjten, rreth orës 21:30 në liqenin artificial të fshatit Metallaj, pranë Shijakut. Sipas të njëjtave burime, 17-vjeçari kishte qenë mysafir te disa të afërm që banojnë në fshatin Metallaj dhe mbrëmjen e së enjtes kishte dalë vetëm për gjueti me çifte. Një gjuetar tjetër, dëshmitar në vendngjarje, tregoi më pas se 17-vjeçari hyri në ujë për të kapur një shpend që kishte qëlluar me çifte, por nuk mundi të dalë më nga uji. Forcat e policisë së bashku me zhytësit e RENEA-s e gjetën trupin e 17-vjeçarit Hardari rreth orës 9.15 të ditës ë djeshme. Ai është dërguar në morgun e Spitalit rajonal të Durrësit, ndërsa vazhdojnë hetimet për të zbardhur plotësisht këtë ngjarje.

13 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›