Kreu i KLSH-së, Çeku: “Një pjesë e administratës abuzon me fondet publike”
Ervin Koçi
Kontrolli i Lartë i Shtetit për 9 muaj ka dërguar kallëzime penale ndaj 130 zyrtarëve të administratës shtetërore, të cilët mendohet se kanë abuzuar me fondet publike dhe me detyrën. Shifrat janë bërë publike nga kreu i këtij dikasteri, Robert Çeku, gjatë një prononcimi për gazetarët pas përfundimit të një aktiviteti mbi prezantimin e projektit të binjakëzimit “CARDS 2004”, mes KLSH-së dhe institucioneve simotra të Britanisë së Madhe dhe Holandës. “Rezultatet e luftës kundër korrupsionit janë minimale dhe zyrtarët e administratës shtetërore rëndom shkelin ligjet dhe abuzojnë me fondet buxhetore”. Këtë deklarim bëri paraditen e djeshme kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Robert Çeku. Ai tha ndër të tjera se rastet e abuzimeve me fondet e shtetit kanë ardhur duke u pakësuar, ”jo me hapa të mëdha” me kalimin e viteve. Në këtë mënyrë Çeku ka lënë të kuptohet qartë se niveli i korrupsionit dhe abuzimeve me fondet e shtetit dhe me detyrën nga nëpunësit e shtetit, apo dhe nga titullarët e institucioneve me rëndësi, është akoma i lartë. Sipas tij, ka zyrtarë të administratës, të cilët nuk zbatojnë ligjin, apo siç u shpreh kreu i KLSH-së, “paguhen për të bërë punën sipas ligjit, por kanë mendje tjetër...”. Nga inspektimi i KLSH-së konstatohet se abuzimet kryesisht kanë të bëjnë me fondet për infrastrukturën rrugore, por edhe me sektorë të tjerë kyçë si Tatimet dhe Doganat.
Masat e KLSH-së
Në kontrollet e ushtruara dhe në shkeljet e konstatuara në institucione të ndryshme shtetërore, nga ana e KLSH-së, kjo e fundit për të gjitha rastet ka bërë kallëzimet penale pranë organeve të Prokurorisë. Masë tjetër e propozuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për zyrtarët abuzues është dhe kërkesa për lirimin e tyre nga detyra, gjobitjen, si dhe largim nga puna. “Mbi 130 zyrtarë të lartë të administratës janë paditur nga KLSH-ja në Prokurorinë e Përgjithshme për abuzime me fondet e shtetit”, - ka deklaruar kreu i këtij institucioni, pas prezantimit të projektit të binjakëzimit “CARDS 2004”. Shuma e vjedhjeve është më e vogël, por sipas kreut të KLSH-së, më e korruptuara është administrata që merret me prokurimet e infrastrukturës, ku dhe janë të përqendruara pjesa më e madhe e investimeve buxhetore.
Paditë
"Për një periudhë 9-mujore kemi çuar mbi 13 zyrtarë për kallëzim penal në Prokurorinë e Përgjithshme. Ne presim që pjesa tjetër e sistemit, e lidhjes, që janë gjykatat, të bëjnë detyrën e tyre. Pjesa themelore ka të bëjë me pjesën që lidhet me shpenzimin e fondeve për infrastrukturën e shtetit. Pra ju e dini se kush merret me këtë çështje, me infrastrukturën e shtetit", - ka deklaruar kreu i KLSH-së, Çeku. Gjatë kontrolleve në vite të kryera nga KLSH-ja, masat administrative ndaj personave që kanë abuzuar kanë qenë të shumta, ndërsa ndjekjet penale thuajse numërohen me gishta. Nivelin e lartë të korrupsionit në Shqipëri e ka konstatuar edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, në raportin e tij më të fundit. Për FMN-në, në dy vitet e fundit, niveli i korrupsionit është dyfishuar. Sektorët më të prekur nga ky fenomen janë Shëndetësia dhe Prokurimet Publike etj.
13 Shtator 2008