Zjarret shkaktojnë dëme në Gjirokastër dhe në Kolonjë
Edhe gjatë ditës së djeshme kanë vijuar zjarret në rrethet e Gjirokastrës dhe Kolonjës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Burimet zyrtare të policisë së qarkut jugor bëjnë të ditur se flakët kanë përfshirë në orët e para të pasdites së djeshme dy kodra në fshatin Saraqinishtë të komunës së Antigonesë, rreth 10 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës. Burime në Policinë e Mbrojtjes Ndaj Zjarrit dhe Shpëtimit për Qarkun e Gjirokastrës, thanë se "flakët e zjarrit u shfaqën rreth orës 13:00 të ditës së premte, të cilat kanë djegur pesë hektarë kullota". Mësohet se flakët janë shfaqur pranë Parkut Kombëtar të Antigonesë. Një rrezik i tillë ka alarmuar strukturat e emergjencave, të cilët kanë vënë në gatishmëri dy autobote me ujë dhe me personel të specializuar. Në vendngjarje kanë shkuar edhe specialistët e kriminalistikës të Drejtorisë së Policisë së qarkut të Gjirokastrës, të cilët kanë filluar hetimet për të zbardhur shkaqet e zjarrit, si dhe për të vënë përpara drejtësisë autorët e vënies së tij. Ndërsa në rrethin e Kolonjës, vatrat e zjarrit vazhdojnë të jenë aktive prej 36 orësh. Sipas burimeve zyrtare, zjarri ka përfshirë zonën pyjore të Roshanit, tek vendi i quajtur Guri i Zi. Sipas kryetarit të komunës, Mollaj, Flamur Dilo mësohet se zjarri është i qëllimshëm dhe po punohet për evidentimin dhe kapjen e autorëve nga uniformat blu të policisë së Kolonjës. Aktualisht është djegur një sipërfaqe prej 15 hektarë pyje, kryesisht pishë, dëllinjë dhe bredh. Pozicioni malor bën të pamundur ndërhyrjen e zjarrfikësve, ndërkohë që janë mobilizuar punonjës nga drejtoria pyjore Kolonjë si dhe banorë të zonave përreth.
13 Shtator 2008