E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arsimi dixhital, Berisha: Të bëhemi superfuqi e vogël e teknologjisë

Kryeministri Sali Berisha / Foto arkiv

Kryeministri Berisha u shpreh sot se arsimi dixhital mbetet një ndër prioritetet kryesore të qeverisë. Në Konferencën për Integrimin e Teknologjisë në Arsim, Berisha tha se në vijim të projektit Shqipëria dixhitale, në vend duhet të nisë gara për ta shndërruar vendin në një superfuqi të vogël të teknologjisë, përmes nxitjes së aftësive programuese të të të rinjve.

Qeveria vite më parë zgjodhi Shqipërinë dixhitale. Ne jemi një komb me një përqindje të lartë të rinjsh. Nga Shqipëria dixhitale duhet të kalojmë te I-qytetari dhe kjo domosodshmërisht duhet të kalojë nga klasat tuaja. Ne sivjet do të realizojmë internetin në çdo klasë, por ne duhet të ndezim garën që Shqipëria të kthehet në një superfuqi të fogël në këtë fushë. Ne duhet të përcaktojmë një seri stimujsh konkretë për të nxitur programet e nxënësve dhe studentëve tanë. Të bëjmë gjithçka për të krijuar kushte për sipërmarrjen e inovacionit, e cila është meritë e moshës së shkollarëve dhe passhkollarëve. Ne duhet të ridimensionojmë tërësisht qëndrimin ndaj aftësive programuese të shkollarëve tanë. Të rinjtë kalojnë orë të tëra në komunikimin e mrekullueshëm në Facebook, tha Berisha.

Duke u ndalur në problemet e arsimit, kreu i qeverisë vlerësoi se sfidë mbetet cilësia, një aspekt, i cili sipas tij kritikohet me të drejtë. Për këtë, ai theksoi se  Shqipëria do të ndjekë modelin e Finlandës.

90 për qind e atyre nxënësve që mbarojnë 9-vjeçaren, ndjekin shkollën e mesme dhe rreth 70 për qind e këtyre të fundit ndjekin studimet e larta. Kemi nivele të ulëta të popullatës me shkollë të lartë, ndaj duhet të bëjmë gjithçka për këtë. Por tani cilësia duhet të mbetet qëllimi ynë kryesor. Në garën e cilësisë, tekologjia e informacionit ka vendin e vet themelor. Rruga që do të ndjekim ne në arsimin parauniversitar është sistemi finlandez, sistem që kryeson për cilësi arsimin e botës. Gara që ndjekim ne është më e vështira. Unë i kuptoj kritikët kur flasin për cilësinë. Këtë vit ne do bëjmë gjithçka që të garantojmë internet me bandë super të gjerë, falas ose me çmimet më të lira që ekzistojnë. Këto kërkojnë një motivim të fuqishëm të nxënësve dhe mësueseve, përfundoi Berisha. / G.N.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›