E Shtunë, 31 Tetor 2026

UNCITRAL, GTZ dhe përfaqësues të institucioneve shqiptare, prezantojnë CISG

Konventa e Kombeve të Bashkuara për Shitjen Ndërkombëtare të Mallrave (CISG), e miratuar në mars të këtij viti edhe nga Kuvendi i Shqipërisë, synon të lehtësojë biznesin shqiptar në tregtinë ndërkombëtare të mallrave. Përfaqësues nga Komisioni i Kombeve të Bashkuara për Tregtinë Ndërkombëtare (UNCITRAL), GTZ , Unioni i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë dhe Ministrisë së Ekonomisë, gjatë një konference për shtyp, prezantuan zbatimin në praktikë të kësaj konvente, kontekstin ligjor dhe ekonomik të saj si dhe përfitimet e biznesit shqiptar prej saj. Renaud Sorieul, Drejtor i Sekretariatit të Komisionit të Kombeve të Bashkuara për Tregtinë Ndërkombëtare (UNCITRAL), u shpreh se CISG është konventa që shërben për të kapërcyer vështirësitë ligjore dhe për të hedhur themelet për përmirësimin e shitjes ndërkombëtare të mallrave, mes shumë shteteve në mbarë botën që kanë miratuar këtë Konventë. Sipas tij, kjo Konventë, e përgatitur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe e miratuar në vitin 1980, ka tani 73 vende anëtare, ku përfshihen edhe vendet e marrëveshjes CEFTA si edhe të gjithë partnerët e mëdhenj tregtarë të Shqipërisë (siç janë, Italia, Greqia, Kina, Gjermania).  Së fundmi, Konventa është miratuar edhe nga Kuvendi i Shqipërisë, fakt të cilin Sorieul, e vlerësoi si pjesë të  përpjekjeve që ka ndërmarrë Shqipëria për përmirësimin e legjislacionit.  

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›