E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE përgënjeshtron Berishën: Asnjë deklarim kundër vizave

 

Komisioni Evropian përgënjeshtron kryeministrin Sali Berisha, sipas të cilit funksionarë të lartë të Partisë Socialiste kanë lobuar kundër heqjes së vizave për Shqipërinë. Në një intervistë në “Tv Klan”, të enjten e kaluar kreu i ekzekutivit tha se deputetët e PS-së, Ilir Beqja dhe Ditmir Bushati i kanë kërkuar drejtorit të Përgjithshëm për Ballkanin Perëndimor në KE, Pierre Mirel gjatë një darke në Tiranë, të mos heqin regjimin e vizave me Tiranën. “Zoti Rama po lobon kundër vizave. Në datë 24 nëntor ditëzi Bushati dhe Beqja i thonë Pierre Mirel, mjerë ju po hoqët vizat me Shqipërinë, do përballeni me eksodin më të papërmbajtur, me krimin më të rrezikshëm. A ka shqiptar që mund ta bëjë një që të tillë? Këta janë emrat, të dalin e të thonë jo. Se kjo ka qenë një tryezë me të paktën 10 vetë”, u shpreh Kryeministri gjatë kësaj interviste. Përmes një deklarate për shtyp, zyra e Komisionit Evropian në Tiranë tha se në këtë darkë, Ditmir Bushati nuk ka qenë i pranishëm. “Media ka raportuar ditët e fundit rreth një darke të mbajtur më 24 nëntor për nder të Pierre Mirel, drejtor për Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Serbinë dhe Çështjet e Kosovës në Drejtorinë e Zgjerimit të Komisionit Evropian. Për të shmangur çdo paqartësi, Komisioni Evropian deklaron se më 24 nëntor në rezidencën e shefit të delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë u mbajt një darkë për t’i krijuar Zotit Mirel mundësinë të takohet me politikanë nga Partia Demokratike, Partia Socialiste dhe parti të tjera. Zoti Ditmir Bushati nuk ka marrë pjesë në këtë darkë”, thuhet në deklaratë. Më tej, komisioni bën të ditur se “asnjë nga pjesëmarrësit nuk ka thënë asgjë që mund të interpretohet se mund të jetë kundër interesit të Shqipërisë për të arritur sa më parë heqjen e vizave me Bashkimin Evropian, apo që mund të jetë në kundërshtim me qëllimin e saj për integrim evropian”. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›