E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Është grip stinor, do kalojë shpejt

 

Zv.kryeministri Ilir Meta tha dje në një konferencë për shtyp se i duhet dhënë fund acarimeve politike, pasi nuk ka më kohë për të humbur. Në një dalje para mediave, ku informoi lidhur me takimin e ministrave të Jashtëm të OSBE-së dhe takimit të Aleancës së Atlantikut të Veriut, në Bruksel kreu i diplomacisë shqiptare tha se: “Do doja që ta quaja këtë sezon ngacmimesh dhe provokimesh të panevojshme si një grip stinor, që duhet ta lëmë sa më shpejt pas dhe të ecim të gjithë përpara pasi nuk kemi kohë për të humbur. Të gjithë qytetarët shqiptarë presin një ritëm më të lartë të reformave, presin një forcim të mëtejshëm të institucioneve demokratike dhe ato të shtetit ligjor, presin jo vetëm shërbime më të mira jo vetëm nga qeveria dhe administrata e saj, por edhe  pushteti vendor”. Sipas tij “nuk kemi nevojë as për akuza të ndërsjella dhe as për thasë me plehra në një ambient që për fat të keq nuk është shumë ekologjik për politikën shqiptare. Kemi nevojë që të gjithë të zhvillojmë përgjegjësitë që kemi marrë nga zgjedhjet e 28 qershorit nga qytetarët shqiptarë, sidomos lidhur me atë që kërkojnë ata, siç është dita e liberalizimit të vizave; një jetë më të mirë dhe anëtarësimin e Shqipërisë në BE”. Zv.kryeministri Meta theksoi se tani pas vendimit të ministrave të Jashtëm të BE-së për të kaluar aplikimin e Shqipërisë dhe pak ditë para se vendi ynë të marrë pyetësorin nga Komisioni Evropian është momenti që si qeveria ashtu edhe opozita të përqendrohen totalisht te këto sfida që janë vendimtare, siç e quajti ai, për gjithë vendin. “Qytetarët presin të pastrohen edhe ato mbeturina të cilat ende shqetësojnë qytetin tonë, por edhe qytetet e tjera të vendit dhe kurrsesi nuk mirëpresin që atë formë qoftë simbolike të përqendrohen në sheshet dhe në bulevardet kryesore. Duhet ta hedhim tej këtë lloj simbolike, sepse nuk i shërben askujt”, theksoi ministri i Jashtëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›