Berisha: Do shembim mafien si në ‘90
ADI SHKEMBI
Kryeministri Sali Berisha i ka bërë thirrje sërish qytetarëve për t’u bashkuar në 8 dhjetor në sheshin “Skënderbej”, ku do të organizohet koncerti me rastin e ditës së Rinisë. Kreu i maxhorancës ka marrë pjesë në mbledhjen e kryesisë së Degës së PD-së së Tiranës, ku ka kërkuar angazhim maksimal për përgatitjet e këtij mitingu, që do të shoqërohet edhe me një koncert me këngëtarë të njohur. “Më 8 dhjetor, të mblidhemi të gjithë në sheshin “Skënderbej”, të mblidhemi të gjithë qytetarët e Tiranës, për të nderuar me respektin më të thellë ata djem edhe vajza të Universitetit të Tiranës, të cilët në një akt legjende u përballën në rrugët e kryeqytetit me diktaturën me të egër që Evropa kishte njohur ndonjëherë dhe e gjunjëzuan atë”, u shpreh kreu i qeverisë në mbledhjen, ku morën pjesë edhe deputetët e qarkut të Tiranës. Por në të njëjtën kohë ai akuzoi një pjesë të opozitës, të cilën e quajti aleanca punisto-mafioze, e cila sipas Berishës, përpiqet që të ngrihet çdo ditë e më lart. “Ne e nderojmë 8 dhjetorin sot, në prag të realizimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë në mbarë Evropën. Ne nderojmë 8 dhjetorin, pasi së bashku gjatë këtyre 4 viteve shembëm murin e krimit që ndante Shqipërinë me Evropën, murin e korrupsionit që kishte mbyllur dyert e integrimit të Shqipërisë në Evropë dhe vijmë më të vendosur se kurrë të shembim murin e mafies që aleanca punisto-mafioze përpiqet të lartësojë çdo ditë e më shumë. Ne qëndrojmë të vendosur në zotimin tonë për shtetin ligjor që qytetarët shqiptarë të gëzojnë liritë që meritojnë”, tha më tej kreu i qeverisë. Berisha u bëri ftesë të gjithë qytetarëve, pavarësisht bindjeve të tyre partiake, për t’u bashkuar në sheshin “Skënderbej”, për të kujtuar 8 dhjetorin. Ndërsa deputetëve demokratë, dhe anëtarëve të kryesisë së degës së kryeqytetit, ai u kërkoi që të angazhohen maksimalisht deri të martën në ortën 16.00 për të sjellë sa më shumë qytetarë në shesh. “Pra, le të bëjmë përpjekjen më të madhe gjer në ora 16.00 të ditës së martë për të organizuar festën më të bukur, më të ngrohtë, më miqësore e festive që kryeqyteti ka njohur. Unë kam bindjen se qytetarët e Tiranës do të dëshmohen në lartësitë e idealeve të dhjetorit”, u shpreh kryeministri. Maxhoranca vendosi dy javë më parë për të organizuar koncertin me rastin e 8 dhjetorit, ndërkohë që kjo iniciativë u pa nga opozita si një antimiting, për mitingun e saj 3 ditor përballë Kryeministrisë.
ftesa
“Ne kemi një arsye tjetër shumë të madhe për tu bashkuar të gjithë në sheshin “Skënderbej” në 8 dhjetor, sepse ne jemi burrat dhe gratë që shembëm 19 vjet më parë murin e Berlinit në Tiranë. Ne sot qëndrojmë në kursin e historisë të shndërrimit të ëndrrave tona në realitet, të shndërrimit të idealit të dhjetorit në realitet, lokomotivë e integrimit të këtij vendi. Këtë 8 dhjetor ne e festojmë më krenarë se kurrë, e festojmë si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s”, u shpreh Berisha në takimin e djeshëm në kryesinë e PD-së së Tiranës.
PS: Berisha dhunoi gratë
Partia socialiste akuzoi dje kryeministrin se urdhëroi dhunimin e grave protestuese. Deputetja e qarkut Korçë, Olta Xhaçka i cilësoi retorikë deklaratat e ditëve të fundit të Berishës dhe Topallit për dhunën ndaj grave. “Dje, Sali Berisha urdhëroi policinë të bënte të kundërtën e asaj që predikon prej ditësh. Dje Sali Berisha urdhëroi policinë të ushtronte dhunë mbi gratë dhe vajzat punonjëse të pushtetit vendor, qytetaret e Tiranës, që protestonin paqësisht për të drejtat e tyre. Këto janë pamjet që vërtetojnë se Sali Berisha tjetër thotë e tjetër bën. Sali Berisha nuk ndalet përpara asgjëje për të mbrojtur pushtetin e tij ilegjitim. Ndaj ne i themi sot Sali Berishës: hap kutitë ose largohu”, tha Xhaçka.
PD: Rama imponon gratë e PS
Partia Demokratike akuzoi dje kreun e PS-së, Edi Rama që ta mbrojnë publikisht. “Çfarë është familja për Edvin Ramën që i ka mohuar jo për 9 ditë as për 9 javë as për 9 muaj, por për 9 vjet rresht kafshatën e gojës fëmijës së tij? Çfarë është familja për Edvin Ramën që së bashku me bashkëshorten del nudo në plazhe publike, duke u imponuar zonjave të nderuara, por mjerane të Partisë Socialiste t’i dalin zot akteve të tij të shëmtuara publike?”, tha dje zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli. Sipas saj “Ne i bëjmë thirrje ndërgjegjes njerëzore të çdo qytetari shqiptar të mendojnë dhe t’u japin përgjigje këtyre pyetjeve, në interesin më të mirë të fëmijëve të tyre dhe familjeve të tyre”.