Arsimi profesional, struktura e re që do të zbatohet vitin e ardhshëm
Tiranë - Struktura e re e shkollave profesionale do të zbatohet për herë të parë vitin e ardhshëm shkollor. Të gjitha shkollat profesionale teknike, sipas kësaj strukture, do të zgjasin 4 vjet, të ndara në vite sipas profileve të tyre. Kështu, profili i Veterinarisë do të zgjasë 4 vjet bllok, profilet Ekonomike, Pyje dhe Teknologji informacioni dhe komunikimi (2+2) vjet, ndërsa të gjitha profilet e tjera (2+1+1) vjet. Sipas strukturës së mësipërme, në shkollat e Arsimit Profesional (AFP), do të zbatohet kurrikula e re sipas modeleve të shkollave të përparuara europiane. Kjo kurrikul, ndryshe nga gjimnazet, është me dy nivele, Skeletkurrikula qendrore (e përgatitur nga AKAFP) dhe kurrikula në nivel shkolle (përgatitet nga mësuesit mbështetur nga AKAFP). Dje në MASH u organizua një takim për arsimin dhe formimin profesional me qëllim ngritjen e një grupi sektorial dhe takimin e tyre një herë në tre muaj për koordinimin e punës dhe shpërndarjen me efikasitet të fondeve për zhvillimin e mëtejshëm të këtij sistemi arsimor, i drejtuar nga dy zëvendësministrat e Arsimit dhe Punës, Halit Shamata dhe Kastriot Sulka. Në takim ishin të pranishëm gjithashtu përfaqësues nga sektori i strategjive në Kryeministri dhe përfaqësues nga donatorë të huaj për këtë sektor. Në rrjetin e AFP-së funksionojnë 41 shkolla, në 28 prej tyre ka vetëm degë të arsimit profesional, të tjerat janë të shkolla të bashkuara me shkolla social-kulturore, të mesme të përgjithshme dhe arsim të detyruar. Gjithsej në shkollat profesionale dhe ato social-kulturore studiojnë 19 831 nxënës, të cilët përbëjnë rreth 19 për qind të nxënësve që frekuentojnë arsimin e mesëm.
Arsimi profesional zhvillohet në katër fusha kryesore:
Elektromekanike
Ekonomike
Ndërtim-mobilieri
Bujqësi (agrobiznes, pyje, veterinari)
6 Shkurt 2009