E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, arrestohen për vjedhje tre të rinj



DURRËS - Tre persona janë vënë në pranga nga Policia e Durrësit, pasi akuzohen për vjedhje. Burime zyrtare nga uniformat blu thanë se gjatë mbrëmjes së djeshme është bërë kapja dhe ndalimi i tre personave të kërkuar. Në pranga janë vënë: Ardian Uka, 32 vjeç dhe Dritan Uka (i vëllai), 25 vjeç, të dy lindur në Pukë dhe banues në Lagjen Nr. 14, Durrës. Policia tha se ndalimi i tyre është bërë pasi disa ditë më parë janë shpallur në kërkim dhe Prokuroria e Rrethit Durrës ka nxjerrë ndaj tyre urdhra ndalimi për veprën penale të vjedhjes së kryer në bashkëpunim. Kjo për arsye se në bazë të hetimeve të kryera dyshohet se këta janë autorë të vjedhjes së banesës së shtetases M. Xh., në fshatin Shënavlash Durrës, në të cilën është marrë një lavatriçe. Gjithashtu në pranga është vënë dhe një 19-vjeçar për akuzën e vjedhjes. Jorgenst Muhaxhiri, 19 vjeç, lindur e banues ne Katund Sukth, Durrës, është ndaluar pasi dyshohet se dy javë më parë ka tentuar të vjedhë lokal “Internet Ledi” në pronësi të shtetasit R. K., banues në fshatin Katund Sukth, Durrës. Lidhur me këta tre shtetas janë kryer veprimet procedurale shtesë dhe materialet iu përcollën për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.

Treni përplas për vdekje të moshuarin

ELBASAN - Një i moshuar ka humbur jetën në rrethana ende të paqarta, pas përplasjes nga treni i udhëtarëve të linjës Pogradec-Tiranë. Ngjarja e rëndë ndodhi në Unazën e qytetit të Elbasanit rreth orës 16:00 të ditës së djeshme, ndërsa treni po i afrohej stacionit hekurudhor të qytetit të Elbasanit. Ndërkohë që treni po ecte, i moshuari ka dalë mbi trasenë hekurudhore në vendin e quajtur “Lagjja e kinezëve". Pavarësisht tentativës së makinistit për të ndaluar trenin, përplasja e të moshuarit ka qenë e paevitueshme pasi distanca me të ishte mjaft e vogël. Për pasojë i moshuari i cili nuk është identifikuar ende ka humbur jetën, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë. Mbetet i paqartë nëse i moshuari është vetëhedhur në shinat e trenit apo ishte një aksident. Ndërkaq vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

28 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›