E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eshtrat e malit të Dajtit do të identifikohen nga ADN-ja



TIRANË - Eshtrat e zbuluara dy muaj më parë në një varrezë masive në malin e Dajtit u përkasin 13 burrave dhe një gruaje. Janë të gjithë të ekzekutuar me nga një plumb në kokë gjatë regjimit komunist. Këto janë konkluzionet që kanë arritur ekspertë të Mjekësisë Ligjore, pas një ekzaminimi shkencor të eshtrave që ka zgjatur afro 2 muaj. Admir Sinamati, zëvendësdrejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, ka thënë se "pas gjetjes së eshtrave, në Institutin e Mjekësisë Ligjore janë interesuar me dhjetëra persona që nuk i gjetën kurrë varret e të afërmeve të tyre të vrarë gjatë regjimit komunist. Por identifikimi i eshtrave të gjetura në Dajt do të kryhet pas analizave të ADN–së". Ekspertët kanë arritur të konkludojnë se ekzekutimi i trupave është bërë rreth 25 deri 40 vjet më parë. Mes tyre kishte të rinj 25-vjeçarë. Mosha maksimale e të ekzekutuarve arrin në 60 vjeç.

Zhduket adoleshentja, policia nis kërkimet

DURRËS - Një 18-vjeçare është larguar nga banesa e saj. Denoncimi është bërë ditën e djeshme në Policinë e Durrësit. Burimet zyrtare thanë se rreth orës 14:00 të dy ditëve më parë, në Komisariatin e Policisë Durrës është paraqitur shtetasja F. H., 40 vjeçe, banuese në Lagjen Nr. 16. Kjo e fundit ka deklaruar se tri ditë më parë, rreth orës 11:00, vajza e saj, Rolanda Hoxha, 18 vjeçe, lindur në Elbasan e banuese në Durrës, është larguar nga banesa. Sipas të dhënave që ka mbledhur policia, adoleshentja ka dalë nga shtëpia për të takuar shoqet, por më pas nuk është kthyer më. Pasi kanë pritur, familjarët kanë filluar kërkimet duke pyetur të afërmit, por nuk është bërë e mundur gjetja e saj. Pas kësaj ata janë paraqitur në polici, ku kanë bërë dhe denoncimin për zhdukje. Burime zyrtare nga uniformat blu të qytetit bregdetar, me të marrë denoncimin, kanë bërë dhe shpalljen në kërkim policor të 18-vjeçares Rolanda Hoxha dhe është duke punuar për gjetjen e saj. Siç mësohet, dosja i ka kaluar prokurorisë.

28 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›