E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafikoi fëmijë për 500 mijë lekë, bie në pranga Lena



Artan CENA
TIRANË - Gjashtë vjet në kërkim nga policia, më në fund është sjellë në Shqipëri Ziko Lena, i dënuar me 21 vite burg, pasi akuzohet për shitje foshnjash në shumën prej 500 mijë lekësh. Ekstradimi i tij është bërë mëngjesin e djeshëm nga Interpol Tirana, pas arrestimit të tij në Greqi, ku dhe dyshohej se ndodhej. Lena ka qenë kreu i rrjetit të trafikantëve, të cilët çonin gra shqiptare për të lindur në klinikën famëkeqe greke, ku menjëherë pasi silleshin në jetë nga nënat, foshnjat përdoreshin për trafik dhe shitje, ku nuk janë përjashtuar as dyshimet për transplantim. Pas arrestimit të paktën të shtatë personave të përfshirë në këtë rrjet me shtrirje në Korçë, Pogradec dhe Elbasan, policia shpalli në kërkim Ziko Lenën, i cili ishte larguar nga vendi dhe mendohej se strehohej në Greqi. Të paktën 200 foshnja shqiptare mendohet se janë bërë viktima të këtij trafiku të bujshëm, ku nënat shqiptare linin foshnjat, fati i të cilave nuk dihet as sot nëse kanë përfunduar për birësime të paligjshme në Greqi, apo për transplantime organesh.
Ekstradimi
Ziko Lena, i dënuar me 21 vite burg për trafikimin e fëmijëve kundrejt 500 mijë lekëve, është sjellë në pranga në Tiranë. Policia e Shtetit konfirmoi se, gjatë mëngjesit të djeshëm, rreth orës 08:00, nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana është kryer ekstradimi nga Athina, Greqi, drejt vendit tonë, i shqiptarit Ziko Lena, 60 vjeç, lindur në Pogradec. Ky person ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Krimeve të Rënda Tiranë, me Vendimin numër 19, datë 5 prill 2006, e ka dënuar këtë shtetas me 21 vjet burg për kryerjen e veprës penale të “trafikimit të të miturve”. Sipas policisë, Ziko Lena, në dhjetor të vitit 2001 ka siguruar kalimin e një gruaje shqiptare drejt Greqisë, duke e strehuar atë në një klinikë në Greqi, pasi shtetasja në fjalë ishte shtatzënë. Pas lindjes së fëmijës, shtetasi Ziko Lena, i ndihmuar edhe nga bashkëshorti i gruas, e kanë shitur fëmijën kundrejt shumës së 500 mijë lekëve dhe e kanë kthyer sërish shtetasen në Shqipëri. Arrestimi dhe më pas ekstradimi drejt vendit tonë është bërë nga Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët grekë.
Dënimi
Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte siguruar në cilësinë e provës materiale kallëzimin penal të bërë nga e dëmtuara Mimoza Liço nga Korça, më datë 10 qershor të vitit 2004. Ajo ka deklaruar në kallëzimin e saj se bashkëjetonte me të pandehurin Hymet Kreka që prej 10 vitesh. Ajo ka pohuar se burri i saj, Hymet Kreka, kishte biseduar në shtëpinë e saj në Korçë me nipin e tij, Nazmi Kreka, që, meqenëse ajo ishte shtatzënë, në muajt e fundit të shkonte të lindte në Greqi. Ndërsa fëmijën ta shisnin tek i pandehuri Nazmi Kreka, kundrejt shumës 5 milionë lekë të vjetër. Prokuroria ka provuar se nëpërmjet të pandehurit Hymet Kreka, i akuzuari Nazmi Kreka ka këmbëngulur që denoncuesja të lindte në Greqi, në qytetin e Janicës. Mimoza ka pretenduar në denoncim se e ka kundërshtuar një fakt të tillë, por i shoqi, së bashku me nipin, e kanë kërcënuar derisa e kanë bindur të dëmtuarën që ta shiste fëmijën që do të lindte. Pas provave dhe hetimeve të bëra nga policia, institucioni i akuzës e ka dërguar çështjen në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku janë dënuar anëtarët e kësaj bande dhe Ziko Lena duhet të vuajë 21 vite burg.

Policia
Krimet, policia vë në pranga nëntë të kërkuar
ELBASAN - Nëntë persona të kërkuar janë vënë në pranga nga Policia e Elbasanit brenda dy ditëve. Burime zyrtare nga uniformat blu lokale, kanë bërë të ditur se, arrestimet janë bërë gjatë operacionit të koduar “Çarku 6”. Të gjithë të arrestuarit ishin në kërkim prej kohësh nën akuza të ndryshme. Nga policia u bë e ditur se dje kanë vënë në pranga 46-vjeçarin me inicialet A. S. Arrestimi i tij është bërë pasi akuzohet për veprën penale të “vjedhjes”. Gjithashtu është ndaluar dhe 24-vjeçari S. S., banues në Elbasan. Uniformat blu thanë se i ndaluari akuzohet për veprën penale të “plagosjes së rëndë me dashje”. Ndërkaq që është ndaluar dhe një i ri, i cili është dënuar nga gjykata për veprën penale të “dezertimit nga ushtria”. I prangosuri është 22-vjeçari me inicialet R. K., banues në lagjen “11 Nëntori”.
Në pranga është vënë dhe Sh. B., 21 vjeç, lindur dhe banues në lagjen “Skënderbej” Elbasan, nën akuzën e “vjedhjes me dhunë”. Për plagosje të lehtë është ndaluar 24-vjeçari me inicialet S. B., lindur dhe banues në lagjen “Sul Paprri”, Elbasan. Gjithashtu dhe një tjetër i ri është ndaluar për këtë akuzë. Ai është 26-vjeçari me inicialet E. B., lindur dhe banues në lagjen “Sul Paprri”, Elbasan. Në pranga janë vënë dhe tre persona të tjerë. 21-vjeçari me inicialet K. D. është akuzuar për “vjedhje”. Për mashtrim është vënë në pranga një 51-vjeçar me inicialet F. G., lindur dhe banues në lagjen “Çlirimi”, Elbasan. I fundit që është në listën e të arrestuarve është I. K., 29-vjeçar, lindur dhe banues në lagjen “Pishaj”, Gramsh. Ky person është vënë nën akuzë për “mosdhënie ndihme për jetesë”. Policia tha se është duke u punuar që të kapen dhe persona të tjerë të shpallur në kërkim të përfshirë në ngjarje të ndryshme.

28 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›