E Diel, 1 Nëntor 2026

Kufiri, Kushtetuesja rrëzon Qeverinë

 Aristir LumeziGjykata Kushtetuese rrëzoi dje marrëveshjen për kufirin detar me Greqinë. Me një votim 9 me 0 kundër marrëveshjes dhe pro kërkesës së paraqitur nga ana e Partisë Socialiste, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese e kanë cilësuar atë në shkelje të plotë me përcaktimet që jep Kushtetuta. Kushtetuesja e ka cilësuar shkelje të rëndë mosmarrjen e plotfuqisë së Presidentit nga ana e grupit negociator të marrëveshjes, kusht që është i përcaktuar dhe në konventat ndërkombëtare. Konventa e Vjenës për të Drejtën e Traktateve e konsideron mungesën e autorizimit dhe kompetencës për të dhënë pëlqimin për marrëveshjet ndërkombëtare ose "ushtrimin ultra vires" të kësaj kompetence, si një mundësi për shpalljen e nulitetit të marrëveshjes ndërkombëtare të nënshkruar ndërmjet shteteve pjesëmarrëse. Kjo duket se ka qenë dhe pika kyçe mbi të cilën është mbështetur Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj për këtë marrëveshje. VendimiVendimi për të rrëzuar këtë marrëveshje kaq delikate, e cila kishte të bënte dhe me marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, kaloi përmes disa mbledhjeve maratonë të gjyqtarëve. Mbledhja e djeshme ishte e nënta, ndërsa në tetë mbledhjet e para anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kishin debatuar me argumente të së drejtës ndërkombëtare rreth kushtetutshmërisë së kësaj marrëveshje. Në mbledhjen e djeshme, të nëntë anëtarët kanë qenë më se të qartë për vendimin që duhet të merrnin, duke votuar 9 me 0 kundër marrëveshjes së Qeverisë me palën greke për përcaktimin e kufijve detarë. Socialistët kishin kërkuar në seancën gjyqësore për këtë çështje rikthim për rinegociim të marrëveshjes mbi kushte të reja transparence dhe kushtetuese, të mbështetur dhe në marrëveshjet ndërkombëtare të hartimit të marrëveshjeve të tilla. SeancaSeanca e gjykimit të marrëveshjes, ku palët e interesuara paraqitën argumentet e tyre, ishte më e gjata në historinë e kësaj gjykate, plot 7 orë. Në të nuk munguan debatet mes palëve, por dhe mes përfaqësuesve dhe anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Sajmir Tahiri, Damian Gjiknuri dhe koloneli në lirim, Myslym Pashaj ishin protagonistët e seancës në Gjykatën Kushtetuese, ku përmes argumentimeve juridike por dhe matjeve teknike hodhën dritë në ligjshmërinë e marrëveshjes detare me Greqinë. Socialistët kanë cilësuar si defekt të rëndë të marrëveshjes mosdhënien e pëlqimit për të nga ana e Presidentit të Republikës. Sipas tyre, mosdhënia e këtij atributi nga ana e Presidentit grupit negociator, është një shkelje e rëndë që e bën nul marrëveshjen. Sipas socialistëve, grupi që ka negociuar marrëveshjen e kufirit ka vepruar vetëm përmes një urdhri të lëshuar nga Kryeministri Berisha dhe jo nga Kreu i Shtetit. Por përfaqësuesja e Ministrisë së Jashtme, Ledia Hysi, e hodhi poshtë këtë pretendim të socialistëve, duke u shprehur se një gjë e tillë nuk ishte e nevojshme.Argumentet e PS në GjykatëKu shkelet Kushtetuta• Nuk është marrë plotfuqia e Presidentit për të negociuar një marrëveshje të tillë. Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi njeh autoritetin dhe kompetencën e Presidentit të Republikës dhe të Këshillit të Ministrave për të lidhur marrëveshje ndërkombëtare• Marrëveshja u negociua dhe hartua mbi bazën e një Urdhri të Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Nr. 135, Dt. 23.08.2007, "Për Ngritjen e Grupit Ndërinstitucional të Punës për Përcaktimin e Shelfit Kontinental me Vendet Fqinje"• Mungesa e kooperimit institucional si procedurë nëpërmjet të cilës garantohet rendi juridik, shteti i së drejtës, e nëpërmjet tyre edhe interesat kombëtare të mbrojtura nëpërmjet zbatimit të dispozitave të Kushtetutës.• Rezulton se hartimi dhe negocimi i tekstit të marrëveshjes, pa asnjë arsye bindëse, është kryer në fshehtësi dhe në mungesë të plotë të transparencës.• Marrëveshja nuk është shoqëruar me harta. Në marrëveshjen Itali-Greqi në vitin 1977 ka pasur harta• Parimi i barazlargimit nuk është zbatuar në marrëveshjet e tjera, si ajo e Italisë me Greqinë për kufijtë detarëKolonel Pashaj zbuloi skandalin Koloneli në pension, Myslym Pashaj, zbuloi skandalin e ndarjes së kufirit detar me Greqinë. Pashaj argumentoi në gjykatë se përmes kësaj marrëveshje, Shqipëria humb disa qindra kilometra katrorë sipërfaqe ujore dhe shelf kontinental. Sipas tij, kjo marrëveshje përcakton se në 1 metër vijë bregdetare, Shqipëria fiton 10.2 km2 sipërfaqe nënujore ndërsa Greqia 17.9 km2 sipërfaqe nënujore. Debati është përqendruar në statusin e ishullit Baketa dhe Othonos, që sipas Pashaj grupi negociator dhe marrëveshja i ka përcaktuar si pjesë kontinentale duke i llogaritur atyre dhe shelf kontinental.Tahiri, avokati i PS në KushtetueseDeputeti Sajmir Tahiri ishte avokati kryesor i kërkesës së Partisë Socialiste në Gjykatën Kushtetuese, për paktin e kufirit detar me Greqinë. Në qendër të mbrojtjes së kërkesës së socialistëve, Tahiri kishte sjellë mungesën e pëlqimit të Presidentit të Republikës grupit negociator, për të bërë këtë marrëveshje. Gjithashtu deputeti socialist solli dhe fakte në gjykatë, që vërtetonin se midis dy vendeve ka pasur kufij detarë. Ai solli dokumente të incidentit në kanalin e Korfuzit, ku Shqipëria pagoi shuma të mëdha për mbytjen e anijeve angleze pas Luftës së Dytë Botërore. Ai hodhi poshtë pretendimin e Qeverisë se nuk ka pasur kufi konvencionale mes Shqipërisë dhe Greqisë, që njihej dhe respektohej nga të dyja palët. Për këtë, ai solli rastin e disa protokolleve të nënshkruar mes dy vendeve. Shembulli më i freskët i këtij përcaktimi ishte Protokolli i vitit 1997 "për mbrojtjen efikase të kufirit bregdetar midis dy vendeve".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›