E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tritol në derë familjes së tregtarit

 

DURRES/ OERD ULQINI

Një shpërthim me lëndë plasëse terrorizon banorët e lagjes 12 të Durrësit. Shënjestër e goditjes me tritol ishte banesa e Ardian Gjuzit, i njohur si biznesmen në këtë qytet. Sipas policisë, sasia e lëndës është vënë në katin e tretë të pallatit nr 621, pranë derës së apartamentit të Gjuzit. Mësohet se 33- vjeçari administron një agjenci biletash dhe një butik në qytetin bregdetar. Për fat të mirë, si pasojë e shpërthimit të ndodhur nuk janë shënuar viktima, por vetëm dëme materiale. Ngjarja ndodhi rreth orës 20:00, por në atë moment nuk ndodhej asnjë pjesëtar i familjes Gjuzi në shtëpi. Policia konstatoi se në derën e jashtme të apartamentit, ishte vendosur lëndë plasëse, e llojit tritol. Shpërthimi ka qenë shumë i fortë duke shkaktuar thyerje të xhamave edhe në banesat e tjera të këtij pallati. Megjithatë, sipas ekspertëve sasia e lëndës plasëse nuk ka qenë e madhe, çka çon në dyshimin se e gjithë kjo ngjarje ishte një akt i pastër kërcënimi. Një grup hetimi nisi ndërkohë punën e saj për të përcaktuar sasinë e tritolit të përdorur, mekanizmin e ngjarjes si dhe shkaqet që mund të kenë çuar keqbërësit drejt këtij akti kriminal. Paralelisht me hetimin Prokuroria ka ngritur akuzat e “Kanosjes” dhe “Mbajtjes pa leje të lëndëve plasëse” për keqbërësit, ndonëse ende nuk janë identifikuar. Ngjarja sipas policisë ka ndodhur pas orës 20:00, por fatmirësisht në atë moment nuk është ndodhur asnjë banor nëpër shkallë. Shpërthimi pasi ka hedhur derën e apartamentit ka dëmtuar thuajse të gjitha pajisjet e gjendura në korridor të banesës së Gjuzit. Policia është duke mbledhur me kujdes dëshmitë e familjarëve të cilëve iu dëmtua banesa si dhe të fqinjëve. Mësohet nga të dhënat e para se nuk ka ekzistuar asnjë konflikt pararendës. Shtetasi Ardian Gjuzi, 33-vjeç, është kunati i nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu. Ky fakt po analizohet me shumë kujdes nga hetuesit, të cilët deri më tani nuk përjashtojnë asnjë pistë. Në vendngjarje hetuesit kanë sekuestruar në cilësinë e provave materiale, copëza të lëndës plasëse dhe fitilin zjarrpërcjellës. Ndërkohë policia gjykon se “bomba” artizanale është aktivizuar afro 15-30 sekonda pas ndezjes së fitilit, kohë e cila i ka shërbyer keqbërësve për të marrë arratinë nga kati i tretë i pallatit. Policia shpreson që të arrijë të mbledhë gjurmë gishtërinjsh në fitilin zjarrvënës me qëllim identifikimin e autorëve. Për këtë detaj të rëndësishëm për hetimin ka nisur punë policia shkencore e Durrësit. Blutë nuk bëjnë të ditur detaje të dëshmisë së Gjuzit, por konfirmohet vetëm fakti se shënjestra e këtij shpërthimi nuk rezulton të ketë pasur konflikte të mëparshme. Gjithashtu janë marrë në pyetje edhe fqinjët të cilët kanë deklaruar se nuk kishin dijeni të ndonjë konflikti të 33- vjeçarit. Policia bëri të ditur se është duke hetuar intensivisht për të bërë të mundur identifikimin e autorëve të kësaj ngjarjeje që shkaktoi panik në Durrës.

Fqinjët: Tronditja tepër e fortë, na mbërtheu paniku

Banorët e pallatit ku ndodhi shpërthimi kanë përjetuar momente paniku. Ndonëse në momentin e ngjarjes, nuk ka pasur lëvizje nëpër shkallë, sërish ata i kanë ndjerë lëkundjet e këtij shpërthimi. Familja Koseni, është njëra që banon në këtë pallat, e cila është ndodhur brenda kur shpërtheu tritoli. Kryefamiljari i saj u shpreh dje se kishte qenë duke rregulluar bravën e derës së tij kur ndodhi ngjarja. “U tremba shumë. Ishte aq i fortë sa për pak u rrëzova. Dolëm të gjithë jashtë dhe lajmëruam policinë” u shpreh ai. Të njëjtin fakt pohojnë edhe banorët e tjerë, të cilët janë ndodhur në shtëpi në ato momente. Shumë prej tyre janë ende konfuzë për motivin e gjithë kësaj që ndodhi. Disa të tjerë aludojnë se mbase keqbërësit kanë ngatërruar objektivin. Gjithsesi, tashmë i mbetet policisë së Durrësit të hetojë në të gjithë pistat e mundshme. Disa prej banorëve janë pyetur në polici për këtë ngjarje. Ata deponuan gjithçka dinin, por dëshmitë e tyre nuk mund të ndihmojnë trupin e hetimit në identifikimin e autorëve, të cilët mendohet se kanë qenë të paktën dy persona.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›