Frika, gripi i derrit mutacion dhe në Itali
Rritet frika për gripin e derrave. Virusi AH1N1 ka pësuar mutacion edhe në Itali. Ministria e Shëndetësisë të shtetit fqinj bëri me dije se nuk ka vend për panik, pasi kjo formë e re është vërejtur vetëm tek disa pacientë, të cilët vuanin nga pneumonia. ”Vaksina është efikase, prandaj qytetarët të rrinë të qetë. Virusi AH1N1 ka pësuar mutacion në shumë shtete, por deri tani nuk kanë qenë të tilla, që të krijojnë probleme shqetësuese në popullatë. Edhe tek ne duket se momentalisht forma e re e virusit nuk është në gjendje të përhapet”, deklaruan mjekët infeksionistë. Mutacioni i regjistruar në Itali është i njëjtë me atë të “kapur” disa javë ditë më parë në Norvegji. Sa i përket Shqipërisë, momentalisht për gjetje të viruseve me mutacion nuk bëhet fjalë. Çdo ditë regjistrohen rreth 100 raste të reja me A/H1N1. Po kështu, renditemi gati të fundit në rajon për tërheqjen e vaksinës kundër gripit të derrave. Ajo pritet të mbërrijë në dhjetë ditët e para të këtij muaji. Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se jemi në prag të epidemisë, pasi kombinimi i virusit sezonal dhe atij të derrave po prek çdo ditë e më shumë qytetarë. Gripi i derrave ka pësuar mutacion në shumë shtete të botës, çka e rrit frikën për shfaqjen e tij në një formë mjaft agresive në vijim. Gjithçka e bën me dije Organizata Botërore e Shëndetësisë. Kjo formë e re e virusit pas Brazilit, Kinës, Japonisë, Meksikës, Ukrainës dhe SHBA, Norvegjisë së fundmi është zbuluar edhe në Itali. Për fat të mirë virusi me mutacion mbetet ende sporadik, çka do të thotë se pjesa më e madhe e të prekurve kanë formën normale të tij. Nga sa bëjnë me dije ekspertët, virusi me këtë mutacion mbetet ende i ndjeshëm ndaj barnave antivirale, oseltamivir dhe zanamivir. Gjithashtu edhe vaksina, që është në dispozicion këshillohet për t’u mbrojtur prej tij, por frika rritet për ndonjë transformim të mundshëm çka mund ta bëjë virusin rezistent ndaj çdo medikamenti trajtues. “Rëndësia e mutacionit është duke u vlerësuar nga shkencëtarët në rrjetin e laboratorëve të OBSH. Ndryshimet në viruset në nivel gjenetik duhet të monitorohet vazhdimisht”, bën me dije OBSH.