E Diel, 1 Nëntor 2026

Arsimtarët takim në 73-vjetorin e shkollës “Shaqe Mazreku”

12/03/2010 Elita e Durrësit në një vend, aty ku u arsimuan. Si u çel kjo shkollë në një barakë me 3 dhoma

DURRES- Shkolla 9-vjeçare “Shaqe Mazreku” në Durrës ka përkujtuar 73-vjetorin e hapjes së dyerve të dijes. Mësues, nxënës e prindër kanë pritur me mirësjellje dhe respekt të veçantë mësueset, mësuesit dhe drejtuesit e shkollës ndër vite duke ndarë me ta kujtime e mbresa të pashlyeshme. Në këtë përvjetor të organizuar nga drejtoria e shkollës dhe drejtori Yzejr Begteshi e gjitha atmosfera brenda e jashtë shkolle ka qenë festive, ndërsa nuk kanë munguar karafila shumëngjyrësh, programi artistik, biseda, fotografie dhe urime. Ftesa është vlerësuar dhe pritur me dashamirësi të madhe pasi oborri dhe katet e klasat e shkollës janë mbushur me mësues veteranë. Një pjesë kanë ardhur të shoqëruar për shkak të moshës së thyer, të tjerë grupe-grupe. Secili është ndalur duke soditur me mall e kureshtje shkollën, oborrin, korridoret, klasat, kabinetet, sallën, këndet dhe sillnin ndër biseda episode nga vitet e punës së tyre edukative e mësimore. Malli, emocionet, kujtimet shfaqeshin në sytë e të gjithëve. Në mesin e mësuesve kishte edhe nga ata edukatorë që kishin nisur klasën e parë në këtë shkollë, kishin kaluar të gjithë jetën në këtë shkollë dhe së fundi kishin dorëzuar stafetën tek nxënëset e tyre. Të binte në sy se në mesin e “të vjetërve” kishte shkrimtarë, poetë, artistë, aktorë, mjek, urbanistë, arkitektë etj, të cilët janë përshëndetur me mësueset e tyre të klasës së parë apo të cikleve e lëndëve të ndryshme. Për afro 30 minuta është shpallur me ndihmën e një video-projektori e gjithë udha që ka ndjekur shkolla “Shaqe Mazreku” që nga dita e parë e hapjes së dyerve të saj deri në ditën e kujtimit të 73 viteve arsim e dije. Shkolla është hapur në gusht të vitit 1937 dhe ka nisur së funksionari në tetor 1937. Etja për të arsimuar fëmijët ka shtyrë patriotët dhe arsimdashësit e Durrësit të hapin këtë shkollë në një barakë me 3 dhoma për 3 klasa. Kaq ka mjaftuar fillimisht për ta, ndërkohë që vit pas viti numri i nxënësve ka shkuar duke u rritur. Fillimisht, në të parin vit mësimor kanë qenë 150 nxënës, në vitin 1946 u hapën 5 klasë me 360 nxënës dhe gradualisht numri i klasave dhe i nxënësve erdhi në rritje. Sot Durrësi numëron shumë shkolla të arsimit 9-vjeçar, por kjo vatër dije, e cila mban emrin mësueses Shaqe Mazreku mbetet ndër më cilësoret edhe për shkak të traditës 73-vjeçare. Sot kjo shkollë ka 927 nxënës në 29 klasë, ndërsa trupa mësimore përbëhet nga 39 mësues. Disa vite pas çlirimit shkolla u bë rikonstruksion dhe në verën e vitit 1968 nga shkollë fillore u shndërrua në shkollë 8-vjeçare me afro 700 nxënës. Për shkak të cilësisë dhe punës së vlerësuar të stafit pedagogjik shkolla është dekoruar më datë 7 dhjetor 1971 me urdhrin “Për shërbime të shquara”. Sot shkolla është godinë dykatëshe, me kabinet biologjie, kimie, fizike, bibliotekë, sallë kompjuteri dhe gjithçka e nevojshme për realizimin cilësor të programit mësimor. Miqtë, që dikur kanë qenë mësues apo edhe nxënës në këtë shkollë, kanë hyrë në çdo klasë e kabinet si dhe kanë përgëzuar shkollën për kujdesin e treguar në mirëmbajtjen dhe pasurimin e kabineteve. Pas përshkrimit me video projektor të hapave në vite të shkollës, kanë afruar kujtime e mbresa shumë nga mësueset tashmë në pension. Drejtori i shkollës, Yzejr Begteshi, ka bërë të ditur se të gjithë mësuesit janë të profilizuar dhe se shkolla e përfshirë në programin e kompjuterizimit dhe të internetit zhvillon si gjuhë të huaj gjuhën angleze e frënge. Drejtuesi i parë i shkollës ka qenë Aristidh Kero dhe pasojnë emrat e 22 drejtorëve. Ndonëse shkolla është bërë disa herë rikonstruksion dhe ka përfituar të drejtën e shtesës në kat, drejtori Begteshi ka theksuar se çdo vit e bëhet më imediate nevoja e zgjerimit të saj për shkak të masivizimit të shkollës dhe rritjes së popullsisë.

Drejtori Yzerjr Begteshi

Çdo vit fitojmë diploma

Drejtori i shkollës 9-vjeçare “Shaqe Mazreku”, Yzejr Begteshi, thotë se është rritur ndjeshëm cilësia e mësimdhënies si dhe numri i nxënësve që synojnë medalje. “I kemi kushtuar vëmendje të veçantë pjesëmarrjes në konkurse dhe ballafaqimet për të fituar trofe”,-ka thënë drejtori. Ai ka bërë të ditur se shkolla është pjesëmarrëse dinjitoze në të gjitha konkurset kombëtare, rajonale e në ato ndërkombëtare. Janë disa medalje, diploma, fletë nderi e fletëlavdërimi të fituara para dhe pas viteve ’90-të. Në asnjë rast nxënësit pjesëmarrës në takime ballafaquese nuk janë ndarë duarbosh dhe ky fat është dëshmi e punës së programuar e cilësore të mësuesve. “Semestri i parë i këtij viti është mbyllur me 87.1 për qind kalueshmërinë dhe notë mesatare 7.8. Tregues të tillë për drejtor Begteshin janë domethënës, ndërkohë që ai ka pohuar se vit pas viti vjen e rritet numri i nxënësve që dalin me rezultate të shkëlqyera. Drejtori ka pohuar se trupa mësimore është shumë e përkushtuar në rritjen e cilësisë dhe kjo ka bërë të mundur fitimin e shumë medaljeve dhe diplomave në konkurse të të gjitha niveleve dhe lëndëve. “Ne organizuam 73-vjetorin për të respektuar mësuesit tanë, por edhe për të bërë bilancin e arritjeve”,-pohoi drejtori. Paralelisht shkolla ka menduar për mirëmbajtjen e mjedisit, organizimin e grupit folklorik, gjallërimin e aktiviteteve sportive, binjakëzimin me shkolla brenda e jashtë vendi etj. “Ne jemi binjakëzuar me shkollën e Kërçovës në Maqedoni dhe si mësues edhe nxënës jemi familjarizuar”, bën të ditur Begteshi. Shkëmbimet e përvitshme të vizitave dhe respektimi i evenimenteve arsimore është bërë traditë për të dy shkollat. “Mësues e nxënës të shkollës sonë janë të vendosur të punojnë me përkushtim për të ruajtur arritjet si dhe për të shtuar meritat”,-tha drejtori.

Emërtimi

Shaqe Mazreku (Fishta) është ndër pionieret e para ferma të arsimit në Durrës. Ajo është lindur më 1898 në një familje me tradita të shquara atdhetare e patriotike në Prizren. Në vendlindjen e saj Shaqe Mazreku kreun shkollën gjysmë të mesëm dhe më pas familja e Marekëve dhe e Fishtës u shpërngulën nga trojet e tyre për t’u vendosur në Shqipëri. Fillimisht familja e Shaqe Mazrekut u vendos në Shkodër dhe më pas në Durrës, ku vajza e re nisi traditën atdhetare në mësimin e fëmijëve. Së bashku me misionaren tjetër të arsimit Marie Kaçulini, emrin e së cilës mban një nga shkollat 9-vjeçare në qytetin e Durrësit, iu përveshën përpjekjeve për hapjen e shkollave. Në vitin 1926 dy vajzat mundën t’ia dalin dëshirës dhe pasionit të tyre duke organizuar në Durrës arsimin parashkollor. Vajza nga Prizreni do të futet në radhët e arsimit në vitin 1917 dhe që nga ajo kohë nuk iu nda shkollës dhe edukimit të fëmijëve deri në vitin 1970.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›