Arsyet pse duhet të ndiqni studimet në Universitetin Politeknik
Jonida Tashi
Universiteti Politeknik ofron më shumë mundësi punësimi, pasi nevojat e vendit për inxhinierë janë të larta. Ministri i Arsimit Genc Pollo, gjatë vizitës që maturantët e tre gjimnazeve në kryeqytet kanë bërë dje në këtë universitet ka sqaruar arsyet se pse këta maturantë duhet të ndjekin studimet në fakultetet e këtij universiteti. Universiteti Politeknik i Tiranës priti dje, rreth 100 maturantë të shkollave të mesme të përgjithshme “Ismail Qemali”, “P.N.Luarasi” dhe “Besnik Sykja” të kryeqytetit, në kuadrin e programit “Ditët e gjimnazistëve në universitete” dhe Këshillimi për Karrierën. Në këtë vizitë ka qenë i pranishëm edhe kreu u arsimit Genc Pollo, i cili i ka këshilluar këta të rinjë të bëhen inxhinierë. “Do të isha shumë i gëzuar nëse këtë vit, ju, përfshi edhe ata me rezultatet më të mira, do të orientoheshit drejt fakulteteve inxhinierike, sepse edhe për ju individualisht këto diploma ofrojnë mundësi jo të vogla avancimi në karrierë dhe të ardhura jo të neglizhueshme”. Kështu ja ka shprehur këshillën e tij për tu bërë inxhinier maturantëve Genc Pollo, sipas të cilit zhvillimit të vendit dhe ekonomisë kombëtare i nevojiten specialistë të mirë në fushat inxhinierike.
Procesi
Sipas Pollos, procesi për Këshillimin e Karrierës ka ecur shumë mirë dhe ka ndihmuar për orientimin e të rinjve drejt hapave të rëndësishëm që do të hedhin në jetë. Për këtë ministri Pollo ka siguruar se rektorët, dekanët, personeli akademik kanë qenë dhe do të jenë në dispozicion për t’ju njohur me programet e studimit dhe me çfarë ofron universiteti, mundësisht edhe tregu i punës për diplomat përkatëse. Përveç ministrit të Arsimit, në këtë takim, përshëndeti edhe rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, Jorgo Kacani, i cili u angazhua për një bashkëpunim të mëtejshëm me shkollat e mesme për informimin e maturantëve rreth Universitetit Politeknik të Tiranës. Të pranishëm të tjerë ishin përfaqësues nga Drejtoria Arsimore Tiranë, si dhe shefat e departamentit të UPT, të cilët u prezantuan maturantëve ambientet dhe laboratorët e këtij universiteti, programet e studimit, vlefshmërinë e diplomës së tyre, hapësirën që ajo ka në tregun e punës, kushtet e mësimdhënies që ofrohen, etj.
Gjimnazistët
“Ditët e gjimnazistëve në universitete” organizohen këtë vit për herë të parë dhe specialistë të MASH-it kanë hartuar edhe një program pune të ndarë në dy faza: “Profesorët në gjimnaze” dhe “Maturantët në fakultete”. Pas përfundimit të turit njohës të pedagogëve në shkolla, muaji maj do të jetë muaji i vizitave të nxënësve të shkollave të mesme në fakultete. Objektivi i Këshillimit të Karrierës është që nxënësit aktualisht maturantët e shkollave të mesme publike dhe private, por edhe maturantët e ardhshëm, para provimeve të Maturës dhe para se të zgjedhin mes shumë fakulteteve në vend, të kenë një informacion të plotë për degët që ata do të zgjedhin për të studiuar. Kjo është një nga pikat kyçe për një vendim personal të çdo kandidati/ maturant, e që duhet të merret në bazë të një informim të plotë, me anën e disa mekanizmave siç janë Këshillimi i Karrierës dhe “Ditët e gjimnazistëve në universitet”. Orientimi i atyre që përfundojnë shkollën e mesme, apo profesionale dhe drejtohen drejt universiteteve, është diçka shumë e rëndësishme, që ka munguar dhe që patjetër duhet të konsiderohet si prioritet për mbarëvajtjen e procesit të Maturës Shtetërore. Procesi i Këshillimit të Karrierës është menduar që në një të ardhme të afërt të kalojë përmes ngritjes dhe funksionimit të Zyrave të Këshillimit të Karrierës (ZKK).
25 Prill 2008