E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vitamina D, si të mbron nga sëmundjet arteriale



Vitamina D mbron nga sëmundjet arteriale, të cilat i shkaktojnë shtresat e yndyrave të cilat e vështirësojnë qarkullimin periferik. Ndërsa personat të cilët kanë nivel të ulët të vitaminës D, në gjakun e tyre kanë prirje për të fituar ndonjë sëmundje të arterieve periferike (PAD). PAD zakonisht shkakton pengesa në qarkullimin e gjakut në këmbë, duke shkaktuar dhimbje dhe mpirje, si dhe pengesa në ecje, ndërsa në disa raste mund të përfundojë edhe me amputimin e këmbës. Sëmundja ndodh atëherë kur shtresat e yndyrës mblidhen në murin e brendshëm të arterieve, duke vështirësuar, apo ndërprerë rrjedhën normale të gjakut, rrjedhimisht edhe të oksigjenit, në këmbë, gishta, duar dhe regjione tjera. Në një studim të iniciuar nga qeveria amerikane, në rreth 5000 pjesëmarrës është matur vlera e vitaminës D në gjak dhe është incizuar rrjedhja e gjakut në këmbë. Personat në grupin me vlera më të ulëta të vitaminës D, kanë qenë për 80 për qind të prirë për t’u sëmurë nga PAD, në raport me ata të cilët kanë pasur vlerat normale të vitaminës. Vitamina D lehtëson absorbimin e kalciumit në trup dhe konsiderohet si shumë e rëndësishme për eshtrat. Mungesa e saj te të rriturit mund të shkaktojë osteoporozë, ndërsa te fëmijët, rakitis. Vitamina D është e pranishme në qumësht dhe produktet e qumështit, peshq (salmoni, sardina, ngjala), vaj peshku, në të verdhën e vezës etj.
Rëndësia
Vitamina D shërben për përthithjen e kalciumit nga ushqimet dhe ndihmon në punën e kalciumit dhe fosforit në trup. Duke bashkëpunuar me kalciumin, ajo ndikon në rritjen dhe shëndetin e kockave dhe të dhëmbëve si dhe në shëndetin e nervave dhe të muskujve. Mungesa e kësaj vitamine në trup sjell infeksione në kanalet e frymëmarrjes tek fëmijët, dobësi muskulare dhe mosrritje të kockave dhe anemi. Në qoftë se ekziston mungesa e saj tek fëmijët gjatë kohës kur ata janë në rritje vihet re deformimi i kockave, sepse ato janë të pafuqishme për të mbajtur peshën e tij. Mungesa e saj në mosha të mëdha, sjell dobësi të kockave, duke shkaktuar dhimbje. Drita e diellit është e rëndësishme në përpunimin e vitaminës D. Ajo gjendet sidomos tek peshku, sardelet, dhe në sasi më të vogla tek margarina dhe veza.
Format e vitaminës D
Vitamina D është një grup përbërësish sterolesh. Teknikisht ajo nuk është vitaminë por më saktë një hormon. Format më të rëndësishme të saj janë: vitamina D3 (Cholecalciferol), prodhuar kur 7-Dehydrocholesteroli në lëkurë ekspozohej ndaj rrezeve të diellit ultraviolet dhe vitamina D2(Ergokalciferoli), prodhuar nga rrezet ultraviolet në bimët nga prekusor ‘Ergosterolin’. Është pikërisht kjo nevojë për tu aktivizuar nga rrezet e diellit që ka çuar që vitamina D të njihet me emrin si “vitamina e diellit”
Të dyja format e vitaminës D njihen me emrin e përgjithshëm calciferol dhe të dyja kthehen në organizëm në formën aktive të vitaminës D. Vitamina D ndryshon nga vitaminat e tjera të tretshme në yndyra, sepse mund të sintetizohet plotësisht nga organizmi dhe burimet dietetike mund të jenë ose të mos jenë të nevojshme. Aktiviteti i vitaminës D në ushqime matet me microgram (ug), por në etiketat ushqimore mund të shihet ende njësia matëse internacionale e vjetër (IU).
Deficiti
Deficiti i vitaminës D zakonisht ndodh në njerëz që kanë një ekspozim të pamjaftueshëm ndaj diellit, mbajnë dieta strikte pa ushqime të pasuruara në vitaminë D, ose kanë një gjendje që pengon absorbimin e vitaminës D nga ushqimi, ose pengojnë shndërrimin në organizëm. Vitamina D e sintetizuar në moshën 80-vjç, është sa gjysma e asaj në moshën 20-vjeç. Nuk prodhohet nga tetori në mars, në veri te 40 gradë nga Ekuatori(nga Philadelphia ne Reno). Kështu gratë zezake që jetojnë në gjerësitë veriore kanë vetëm gjysmën e sasisë së vitaminës D krahasuar me gratë e bardha.
Metabolizmi
Vitamina D rrjedh nga shëndrrimi i prekusoreve të sajë në lëkurë dhe nga burimet ushqimore. Rrezet ultraviolet aktivizojnë 7-dehydrocholesterolin në lëkurë. Nga 50-80 për qind e vitamins D3 prodhuar nga prekusoret në lëkurë transportohet në mëlçi, ku transformohet në 25-hydroxycholecalciferol. Pas kësaj transferohet në veshka, ku kthehet në formën aktive të vitaminës D (hormoni vitaminë D3). Nga veshkat transportohet në zorrën e hollë, ku ndërhyn në absorbimin e kalciumit dhe fosforit. Burimet ushqimore të vitaminës D absorbohen si lipidet e tjera dhe transportohen përmes qarkullimit limfatik në mëlçi.
Megjithëse vitamina D gjendet në organe të ndryshme, gjaku, mëlçia dhe indi dhjamor janë vendet kryesore të depozitimit të saj. Sasia e vogël e vitaminës D shkakton ulje serioze të absorbimit të kalciumit dhe fosforit duke çuar në absorbim shumë të pakët të kalciumit për të ruajtur nivelin e duhur në serum dhe në gjak. Kalciumi atëherë mobilizohet nga kockat për të mbajtur nivele të qëndrueshme në serum duke vënë në rrezik integritetin e kockave. Rakiti është forma deficitare e vitaminës D, që gjendet në foshnja dhe fëmijë që çon në mineralizimin defektoz të kockave. Mungesa e vitaminës D tani njihet si arsyeja kryesore e sëmundjeve metabolike të kockave në të moshuarit.
Burimet e vitaminës D
Burimet kryesore të vitaminës D është nëpërmjet ekspozimit të lëkurës në diell i ndjekur nga konsumimi i qumështit të pasuruar me vitaminë D. Mesatarisht 90 për qind e pjesës më të madhe të vitaminës D vjen nga rrezet e diellit dhe vetëm 10 për qind nga ushqimet. Meqenëse vitamina D depozitohet në organizëm, depozitat e mira në muajt me diell mund të sigurojnë një rezervë për ato muaj me më pak diell. Vetëm sasi të vogla të vitaminës D gjenden në mënyrë natyrale në ushqime. Peshqit e yndyrshëm dhe vaji mëlçisë së peshkut janë burimet ushqimore natyrale kryesore. Pothuajse i gjithë qumështi i freskët, pluhur, i avulluar, si dhe ushqimi i foshnjave përforcohen me 10 mg (400 IU) vitaminë D për 1,14 litra qumështi, ose ekuivalentin e tij. Vitamina D është e qëndrueshme në ushqime gjatë ruajtjes, përpunimit dhe gatimit.
Funksionet e vitaminë D
1. Funksioni i njohur dhe më i mirë vitaminës D është roli i tij thelbësorë në mineralizimin e kockave dhe të dhëmbëve. Vitamina D lehtëson absorbimin e kalciumit dhe të fosforit nga zorrët dhe inkorporimin (futjen) e këtyre mineraleve në kocka.
2. Vitamina D gjithashtu ndihmon në rregullimin e niveleve në gjak të kalciumit dhe fosforit
3. Kjo vitaminë përfshihet në aktivitetin qelizor të organeve të ndryshme, përfshirë lëkurën, pankreasin dhe ovaret. Në këtë rol vitamina D, funksionon si hormon, pasi sintetizohet nga një organ, por ka efektin e saj në organe të tjera të trupit.
4. Deri në moshën 50-vjeç dilni shpesh jashtë dhe e lini lëkurën të ekspozuar për të paktën gjysmë ore 2-3 herë në javë. Personat që qëndrojnë në shtëpi duan një sasi shtesë të vitaminës D(rrezet nuk kalojnë dritaret).
5. Mbi moshën 50-vjeç, prisni 10-15 minuta para se të aplikoni kremin e plazhit. Pini ¼ e litrit të qumështit në ditë.
6. Mbi 70-vjeç, ose nëse diagnostikoheni me defiçit vitaminik, rekomandohen të gjitha rekomandimet e mësipërme plus 1 multivitaminë në ditë si dhe një vitaminë D shtesë 400 IU për në total prej 800 IU shtesë dite.

Përgatiti: Jonida Tashi

Të rejat nga shkenca
Studimi, qumësht për eshtrat e meshkujve
Edhe pse osteoporoza (sëmundje e eshtrave) më shpesh prek femrat, nuk do të thotë se meshkujt nuk duhet të kujdesen për shëndetin e eshtrave të tyre. Në një studim në të cilin janë përfshirë 100 meshkuj me moshë mbi 50-vjeç, është treguar se konsumimi i qumështit është i dobishëm edhe pas ndërprerjes së konsumimit të tij. Meshkujt brenda dy viteve kanë konsumuar qumësht të pasur me kalcium dhe vitaminë D, që ka ndaluar apo ngadalësuar humbjen e masës kockore, ndërsa është interesante se si shëndeti i mirë i indit kockor ka qëndruar edhe 18 muaj pas ndërprerjes së konsumimit të qumështit të pasuruar.
Nevoja për kalcium
Për të parandaluar sëmundjet e ndryshme të eshtrave (siç është osteoporoza) është e nevojshme që njeriu vazhdimisht të konsumojë produkte ushqimore të cilat përmbajnë sasi të mjaftueshme të kalciumit. Fëmijët të cilët janë duke u rritur, shtatzënat që presin foshnjat, personat të cilët merren me sport, ata të cilët janë mbi 50-vjeç, ata të cilët kanë intolerancë ndaj laktozës apo alergji në qumësht, atyre që nuk u pëlqejnë dhe nuk dëshirojnë të marrin produktet e qumështit apo që janë në dietë, si dhe personat të cilët janë në terapi të vazhdueshme me steroide, kanë nevojë të madhe për kalcium, dhe ky grup njerëzish duhet të mendojnë për plotësimin e nevojave të tyre me preparate shtesë të kalciumit. Burim kryesor i kalciumit është qumështi dhe produktet e tij, megjithatë edhe llojet e peshqve, siç është sardina dhe losos kanë sasi të konsiderueshme të kalciumit. Disa nga produktet ushqimore të cilat përmbajnë sasi të mjaftueshme të kalciumit të nevojshëm për t’i plotësuar nevojat ditore janë: Jogurti me dhe pa yndyrë, jogurti i pemëve, qumështi i zakonshëm, qumështi me çokollate, kaçkavalli, pudingu, akullorja, konserva me sardine, djathi etj.

25 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›