KRRT-ja, diskutim për projektet e zonës së Liqenit dhe Parlamentit
Emanuela Sako
Projekte të reja pritet të ndryshojnë qendrën e Tiranës, për të cilën vetëm pak ditë më parë u zgjodh fitues projekti i studios belge. Këshilli i Rregullimit të Territorit të Tiranës, në mbledhjen e ditës së djeshme në Hotel “Sheraton”, ka diskutuar për miratimin e planit për qendrën e kryeqytetit, sipas studios belge. Po kështu, janë diskutuar edhe 2 projekte interesante për dy zona të tjera të kryeqytetit. Tashmë pritet vetëm fillimi i punimeve për qendrën e Tiranës, e cila përveçse do të ruajë traditën dhe historikun e vet, do të alternohet edhe me pasazhe të modernes, për të qenë sa më funksionale edhe për qytetarët.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama theksoi se miratimi i planit për qendrën e Tiranës është një ngjarje me rëndësi, pasi jep mundësinë që kryeqyteti të ketë një pamje krejt të re.
Projektet
Gjatë mbledhjes së KRRT-së u bë prezantimi i dy projekteve të reja përmes të cilave do të ndërhyhet në digën e liqenit artificial dhe në zonën përballë parlamentit. Për këto dy zona është diskutuar shpeshherë ndërhyrja për rregullimin e territorit të këtyre zonave dhe kthimin e tyre në qendra tërheqëse dhe zona funksionale, ndërkohë që është menduar që të kenë një pamje të re dhe të rregullt nga pikëpamja strukturore. Projektet për këto dy zona janë paraqitur nga një studio holandeze e quajtur VINIMAS. Në këtë projekt parashikohen komplekse banesash, dyqanesh e kafenesh pranë zonës së liqenit artificial. Ndërsa ndryshe është parashikuar projekti përballë parlamentit, i cili do të marrë një pamje krejt ndryshe nga e para. Përballë parlamentit është menduar të ndërtohet një kompleks i quajtur “Titanik City”. Kompleksi do të jetë 8 katësh, me 4 hyrje që bashkohen në qendër. Fasada nga gjera anë do të jetë me xhama dhe ana tjetër me reklama. Kompleksi do të ketë 4 kate të nëndheshëm me parking dhe dyqane në to. Projekti i dytë është quajtur “Lake Side Hall” nga vetë krijuesi dhe pozicionohet në afërsi të Liqenit Artificial. Arkitekti ka treguar ndjeshmërinë e tij me shumë finesë edhe në këtë rast, duke vendosur një komunikim mes qytetit dhe peizazhit të Liqenit e të gjelbërimit të Parkut, nëpërmjet ndërtesës së propozuar prej tij. Përtej tektonikes dhe masës së ndërtuar që do të ketë, objekti është i tejçueshëm dhe lejon fluiditetin pamor si edhe atë fizik nga qyteti drejt Parkut dhe anasjelltas. Programi i objektit është banim dhe shërbime komerciale. Ndjeshmëria e autorit shkon më tej, duke ulur ndjeshëm ndikimin e masës së objektit nëpërmjet një lëvizje të pjerrët në favor të pamjes për nga liqeni. Të gjitha apartamentet e banimit do të kenë mundësi të shijojnë, pa shqetësuar të tjerat, pamjen qetësuese dhe mjaft të dëshiruar të gjelbërimit dhe të kodrave.
Ndryshimet
Bashkia e Tiranës ka bërë të pamundurën për të ndërtuar një dimension të ri, për disa zona qendrore të kryeqytetit, të cilat janë tepër të frekuentueshme nga qytetarët. Krijimi i një dimensioni të ri do të sjellë më tepër kreativitet dhe do t’i ndryshojë këto zona sipas projekteve të përcaktuara nga studiot e huaja. Po kështu dhe për zonën e liqenit që është e tejmbushur nga lokale dhe ndërtesa në pjesët anësore të saj. Vetëm pak ditë më parë u organizua takimi për shpalosjen e projekteve të 6 studiove me emër në europë për ndryshimin e Sheshit “Skënderbej”, ku doli fituese studioja belge, e cila pritet që të nisë punimet sipas projektit fitues.
Studentët në grevë, për heqjen e sezonit të majit
Studentët e Filologjikut kanë bojkotuar dje mësimin për heqjen e minisezonit të përvitshëm të muajit maj. Ka mjaftuar një lajmërim i qeverisë studentore që shumica e studentëve të braktisnin auditoret në shenjë proteste. Protesta e studentëve të filologjikut vjen si pasojë e heqjes së minsezonit të majit për provimet e mbartura. Këto provime do të mund ti shlyejnë vetëm në shtator. Të shqetësuar dhe pa kredite të plotësuara studentët kanë zgjedhur rrugën më të thjeshtë ”bojkotin”. Ata shprehen se heqja e këtij minisezoni i rrezikon të humbasin vitin akademik. Nuk dihet si do të merret ky bojkot nga stafi akademik, shumica e të cilëve nuk kishin dijeni për bojkotin e orëve të mësimit. Ndërkohë që studentët shprehen se asnjë pedagog nuk ishte në auditor, mesa duket pedagogët kanë qenë të parët që e kanë bojkotuar mësimin në fakultet. Ajo që dihet është se Filologjiku ka qenë i zbrazur dhe studentët kanë qndruar në oborr në shenjë proteste. Protesta pritet të vazhdojë deri në marrjen e një vendimi nga stafi akademik, me anë të të cilit do t’iu vijnë në ndihmë studentëve për të kaluar tensionin e lëndëve të mbartura.
25 Prill 2008