Vlorë, rikthehen kambistët, shtatë në polici
Ata janë kapur nga policia teksa po shkëmbenin para në zonën e "Kapelës". U Sekuestrohen paratë
VLORË- Policia e Vlorës ka ndaluar dje shtatë kambistë, të cilët u kapën duke kryer shkëmbime valutore në qendër të qytetit. Edhe pse tregu valutor është mbyllur prej muajsh, kambistët vazhdonin të ushtronin profesionin e tyre. Ardhja e emigrantëve dhe rritja e kërkesës për valutë, duket se ka shtuar përpjekjet e kambistëve për të rigjallëruar zonën që njihet si tregu i "Kapelës". Edhe pse gjatë kësaj kohe shumë prej tyre kanë punuar fshehurazi në pika të afërta, kërkesat e refugjatëve, i kanë risjellë kambistët e palicensuar, drejt zonës që përdorej rëndom për këmbimin e lekëve dhe valutës. Muhamet Murati, 52 vjeç, Pëllumb Toska 50 vjeç, Vladimir Allushi 41 vjeç, Drini Golloshi 46 vjeç, Viktor Bufaj 39 vjeç, Isuf Hoxha 50 vjeç dhe Alfred Gacaj 45 vjeç, janë kapur në flagrancë duke këmbyer shuma lekësh nga ana e efektivëve të sektorit të luftës kundër trafiqeve në policinë e Vlorës, të cilët kanë vepruar në bazë të informacioneve të marra qysh më parë. Tregu në fjalë është mbajtur prej ditësh nën vëzhgim dhe personat e lartpërmendur kanë punuar me shkëmbim shumash. Në cilësinë e provës materiale kambistëve iu janë sekuestruar shumat e lekëve, eurove dhe dollarëve, të cilët ata dispononin dhe përdornin për të kryer këmbimet. Hetimi për ta do të vijojë në gjendje të lirë, ndërkohë që mësohet se goditjet e policisë do të jenë në vijimësi për të mos lejuar rigjallërimin e këtij tregu.