E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejtoresha e azilit: Ndihmat ndodhen në magazinë

Gjirokastër, policia vazhdon hetimin e çështjes ndërsa drejtoresha akuzon financieren për kallëzim të rremë
GJIROKASTËR- Ndërsa gjendja në shtëpinë e të moshuarve "Shpresa e jetës" në qytetin e Gjirokastrës vazhdon të mbetet e njëjtë dhe puna e bllokuar, drejtoresha e këtij institucioni, Vjollca Çekani, përkundër akuzave të drejtuara ndaj saj nga shefja e financës, deklaron se gjithçka është shpifje. Sipas saj, akuzat për zhdukjen e ndihmave nuk qëndrojnë aspak. "Thasët dhe kutitë me ndihma janë brenda godinës", ka deklaruar ajo në një prononcim të dhënë për "Shekulli". "Pas shkarkimit të ndihmave që morën, përgatita procesverbalin, të cilin e kanë firmosur të gjithë personat që morën pjesë, të cilët janë punonjësja sociale e shtëpisë së të moshuarve, punonjëset e turnit të dytë dhe ato të tretë si dhe disa prej pleqve. Meqë shefja e financës nuk ishte në punë dhe duke qenë se ishte relativisht vonë, procesverbalin dhe faturën e mallit ia dorëzova kryeplakut, Myftar Goxhaj, që të nesërmen në mëngjes t'ia dorëzonte financieres. Por ajo nuk erdhi në punë as të nesërmen dhe kryeplaku ia dorëzoi faturën e mallit magazinieres dhe malli ishte në rregull. Por, meqë nuk mund t'i linim kutitë dhe thasët në korridor, i futëm ato në magazinë. Unë disponoj edhe procesverbalin e dorëzimit në magazinë",- ka theksuar Çekani. Sipas saj, skenari për një zhdukje të rremë të mallit ka qenë i përgatitur dhe ky është edhe çelësi i kontradiktave me financieren e institucionit. "Ditën e tretë që financierja erdhi në punë i kërkova të bënte kontabilimine mallit, por ajo deklaroi se do shkonte tek krimi ekonomik, pasi pretendonte se mungonin disa mallra, të cilat në fakt ishin. Vetëm katër muaj më vonë, kërkoi që agjentët e krimit ekonomik të vinin dhe të hetonin në lidhje me këtë çështje, çka është krejtësisht anormale. Për këtë arsye unë kam mbyllur dhe dyllosur magazinën ku ndodhen mallrat si dhe lavanterinë dhe kam deklaruar se deri në momentin që një grup i posaçëm kontrolli të vijë të evidentojë gjithë gjendjen e mallrave puna do të vazhdojë të jetë e bllokuar. Madje kam të filmuara edhe thasët me rroba që i kanë hedhur nga dritarja për t'i deklaruar të zhdukura",- është shprehur më tej drejtorja Çekani. Ndërsa nga ana tjetër, financierja Klodiana Qirushi ka deklaruar se Çekani me një vendim të kontrollit të auditit nuk është më drejtuese e shtëpisë së të moshuarve. E ndërsa akuzat dhe kundërakuzat vazhdojnë, duket se vetëm një kontroll i imtësishëm si dhe hetimet e nisura do të hedhin dritë mbi të vërtetën e kësaj çështjeje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›