E Shtunë, 31 Tetor 2026

Art për Republikat dhe oborret

Dy vjet pas botimit të vëllimit të parë, këto ditë ka dalë në qarkullim vëllimi i dytë i historisë më të kompletuar të artit botëror të botuar ndonjëherë në gjuhën shqipe, “Kohët e artit”. Ky botim, i konsideruar nga më luksozët, i shtypur në Itali, vjen i përgatitur në shqip nga historiani i artit, Gëzim Qendro, vlerësuar për cilësi të lartë dhe profesionale të përkthimit. Vëllimi i dytë mbulon periudhën nga Gotiku Ndërkombëtar tek Rokokoja. Më poshtë është shkëputur një pjesë nga botimi, ku flitet për përhapjen e gjuhës manieriste, dhe se si disa artistë-shtegtarë si Giorgio Vasari dhe Francesco Salviati, të cilët synuan synuar të endin rrjetën e një “sistemi“ që përfshinte të gjithë kulturën e kohës, të vënë në shërbim të sundimtarëve të oborreve dhe oligarkive republikane

Art për Republikat dhe oborret

Përhapja e gjuhës manieriste

Ashtu si periudha të tjera të historisë së artit (Gotiku ndërkombëtar, Baroku dhe Neoklasicizmi), edhe Manierizmi u bë gjuhë artistike ndërkombëtare, duke marrë

një karakter gjithnjë e më tepër elitar dhe cerebral në gjendje të përmbushë kërkesat e oligarkive në pushtet dhe rretheve të oborreve europiane për luks, elegancë, për himnizim dhe shije të hollë. Në një shoqëri ku kristalizohen çdo ditë e më shumë hierarki të tipit neofeudal, të ngurtësuara dhe tashmë larg idealeve humaniste të emancipimit të individit, një art i tillë, megjithëse i moduluar në variante vendase me tipare të veçanta, mori megjithatë vlerë mbikombëtare, duke nxitur qarkullimin e veprave dhe udhëtimet e artistëve si dhe shkëmbimet e punimeve „të lëvizshme“ si grafikat, miniaturat, objektet e çmuara e të rralla, tablotë e „dhomës“, gjithnjë e më të kërkuara nga koleksionizmi që po lindte. Gjuha toskane – romane (e fryrë, e përpunuar, e pasur me‚ngjarje të bujshme“ dhe shpikje) rrezatoi deri edhe në vende ku tradita vendase ishte më e fortë dhe rasti i

skajshëm i Venedikut mund të shërbejë për të ilustruar këtë prirje. Në fakt, pikërisht këtu, qendra monumentale e qytetit (sheshi i Shën Markut) u ndryshua nga një toskan, Jacopo Sansovino i cili, i ngarkuar nga Republika e Venedikut, arriti t’i përfshijë veprat e mëparshme romanike-gotike me famë, ashtu si bazilikën e Shën Markut dhe pallatin e Dukës, në një sistem harmonik urbanistik-arkitektonik; i cili, i moduluar mbi këtë leksik të modernizuar nga liria krijuese dhe shija teatrore që kish arritur njohjen ndërkombëtare të elitave kulturore dhe të pushtetit, theu në fakt izolimin kulturor të qytetit. Edhe artistët shumë të talentuar dhe në gjendje të drejtonin pasurinë e tyre me vetpërmbajtje, si Tiziano, u tërhoqën, megjithëse përkohësisht, nga ekperimentalizmi manierist, ndërsa të tjerë si Tintoretto (një brez më i ri se cadorinasi) e mbështetën veçantinë e shprehjes së tyre pikërisht mbi shkrirjen e elementëve stilistikë toskano–romane (si plasticitetin dhe gojëtarinë e gjuhës figurative) me të tjera elemente vendase, si ndjeshmëria ndaj ngjyrës dhe efektet e dritës.

Disa artistë-shtegtarë si Giorgio Vasari dhe Francesco Salviati ndihmuan në ndërkombëtarizimin e parapëlqimit për emfazën dhe sajimin, për më tepër mirënjohës edhe ndaj poetëve dhe shkrimtarëve, shpesh po aq endacakë dhe me kontakte të gjera me anë të shkëmbimit të letrave dhe teksteve, duke synuar të endin rrjetën e një “sistemi“ që përfshinte të gjithë kulturën e kohës, të vënë në shërbim të sundimtarëve të oborreve dhe oligarkive republikane.

Luksi i Mediçëve

Marrëdhënia ndërmjet prodhimit artistik toskan pas vitit 1530 (viti i rënies së Republikës fiorentine) dhe forcimit të dinastisë së familjes Mediçi ishte shumë e ngushtë.

Sundimi i gjatë i Cosimos I (vitet 1537 – 1569) u karakterizua në fushën artistike nga nisma të paracaktuara të lënë gjurmë të thella në qytet dhe territorin përreth tij. Përveç kësaj, vullneti për të ligjësuar dhe kremtuar pushtetin e shtyn dukën të nxisë prodhimin e

objekteve të çmuara, duke mos u kufizuar vetëm në porositë në lëmin e arkitekturës, të skulpturës dhe pikturës; një prirje e tillë do të shfaqej më vonë më me bujë gjatë mbretërimit të bijve dhe pasardhësve, Francesco dhe Ferdinando.

Firencja kthehet kështu në qendër botërore të prodhimit artistik: të gjitha artet (nga piktura te argjendaria, endja e sixhadeve, nga skulptura te prerja e gurëve të fortë) shohin zbatimin e vizatimit si parim rregullues dhe nënshtresë që vlerëson realizimin material, me një vizion të njësuar me interes të madh. Teorizuesi kryesor i vlerës së “vizatimit” dhe i pari dhe rolit prijës të toskanëve në një fushë të tillë është Giorgio Vasari, i cili u vu në shërbim të Cosimos si artist dhe organizator kulturor; duke i kushtuar atij Jetët e arkitektëve, piktorëve dhe skulptorëve më të shkëlqyer (viti 1550). Mbisundimi

që shpallte Vasari u shfrytëzua me zotësi nga familja Medici, edhe në planin e forcimit të prestigjit dhe propagandës politike, duke marrë nën mbrojtje Akademinë e Vizatimit (e themeluar në vitin 1562) që pasoi ngritjen e Akademisë së Letërsisë (viti 1541) e krijuar

me qëllim që të ngrinte lart përparësinë e gjuhës toskane mbi dialektet e tjera italiane.

Sipërmarrjet e mëdha zbukuruese

Forcimi i pushtetit të Mediçëve u ndoq nga Cosimo I, duke ushtruar krahas një veprimi të fuqishëm politik edhe një veprimtari si përkrahës i arteve duke i kushtuar vëmendjen më të madhe vlerës simbolike dhe propagandistike të imazheve dhe ndërtesave. Kuptimplotë

duket vendimi i tij për ta shpërngulur rezidencën e familjes Medici nga pallati i rrugës Larga, madhështor por (për përdorim vetjak“), në vendin më përfaqësues të qytetit,

pallatin e Vjetër, më parë seli e Komunës, pra, edhe e Republikës. Shndërrimi i pallatit në rezidencë për dukën shënon perëndimin e një ideali politik pavarësie tashmë të parealizueshme në skenën e sunduar nga perandoria spanjolle. Ndërsa pjesës së jashtme të pallatit të Vjetër nuk iu bënë ndryshime, pjesa e brendshme e tij u përshtat për ceremonitë madhështore të familjes Medici përmes një zbukurimi të harlisur: historia

romake dhe mitologjia ju përshtatën kërkesave për të himnizuar dhe thurur lavde qytetit dhe familjes së dukës. Duke filluar nga viti 1540 artistë të shumtë thirren të punojnë në mjediset e pallatit.

Francescho Salviati (emri i vërtetë Francesco de’ Rossi, vitet 1510 – 1563), fiorentin me prejardhje por i ardhur nga përvoja romane dhe venedikase, pikturon ndërmjet viteve 1543 – 1545 në sallën e Pritjeve një cikël afreskesh me Historitë e Furio Camillos [fig.III.50], që përbëjnë një risi për Firencen pasi parashtron një “rindërtim“ të stilit të lashtë i cili filtrohet përmes studimit të drejtpërdrejtë të rrënojave të Romës dhe përvetësimit të mësimit të Raffaellos dhe shkollës së tij.

Cikli i Salviatit solli në Firence stilin e fryrë roman në format e tij më të bujshme duke u kthyer në model për artistët e brezave të rinj. Në zbukurimin e pallatit të Vjetër mori pjesë edhe Agnolo Bronzino (emri i vërtetë Agnolo di Cosimo, vitet 1503 – 1572), piktori

i parapëlqyer i Cosimos I, i formuar pranë Pontormos e të cilit iu besua zbukurimi i kapelës së dukeshës Eleonora e Toledos (vitet 1540 – 1546).

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›